Dhoma e Përfaqësuesve miratoi ndihmën ushtarake për Ukrainën, Zelensky: Faleminderit! Jeni në anën e duhur të historisë

Evropë

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi ndihmën ushtarake për Ukrainën, Zelensky: Faleminderit! Jeni në anën e duhur të historisë

Më: 20 prill 2024 Në ora: 23:45
Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu mirënjohjen e tij për miratimin nga Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së të projektligjit për të ndihmuar Ukrainën.

“I jam mirënjohës Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, të dyja palëve, dhe personalisht Kryetarit Mike Johnson për vendimin për të qëndruar në anën e duhur të historisë”, shkroi Zelensky në X.

Zelensky theksoi se projektligji, i cili do të miratohet nga Senati amerikan, “do të parandalojë zgjerimin e luftës, do të shpëtojë mijëra e mijëra jetë dhe do të ndihmojë të dy kombet tona të bëhen më të forta”.

Dhoma e Përfaqësuesve Kongresit amerikan miratoi të shtunën me mbështetje të gjerë dypartiake ndihmën ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, mes kundërshtimeve të republikanëve të vijës së ashpër.

Legjislacioni tani kalon në Senatin me shumicë demokrate, i cili miratoi një projekt-ligj të ngjashëm më shumë se dy muaj më parë.

Udhëheqësit amerikanë që nga presidenti demokrat Joe Biden e deri tek kreu i republikanëve në Senat Mitch McConnell, i kishin kërkuar prej kohësh kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ta hidhte atë në votim.

Demokratët dhe republikanët bashkuan votat për të mbështetur projekt-ligjin, pas një beteje disamujore lidhur me pjesën e ndihmës ushtarake shtesë për Ukrainën ndërsa ajo vazhdon përpjekjet për të zmbrapsur agresionin rus.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi pjesën e ndihmës për Ukrainën prej 61 miliardë dollarësh, me një mbështetje dërrmuese, në një demonstrim të fortë të mbështetjes amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat