Britania dhe Gjermania i bëjnë thirrje Hamasit të lirojë pengjet

Evropë

Britania dhe Gjermania i bëjnë thirrje Hamasit të lirojë pengjet

Më: 23 prill 2024 Në ora: 21:22
Foto ilustrim

Diplomatët perëndimorë i bënë thirrje Hamasit të martën të lirojë personat që ende po mbahen peng në Rripin e Gazës, ndërsa shënohen 200 ditë nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit.

“200 ditë më parë Hamasi kreu një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj popullit hebre që nga Holokausti”, tha Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron, përmes një postimi në rrjetin X. “Prej 200 ditësh, pengjet mbeten në robëri ndërsa njerëzit e tyre të dashur vazhdojnë të përballen me një vuajtje të paimagjinueshme”.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se "derisa pengjet të lirohen, ne nuk do heqim dorë. Shans për paqe do të ketë vetëm kur ata të kthehen në shtëpi".

Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 250 të tjerë, sipas të dhënave izraelite. Izraeli thotë se militantët vazhdojnë të mbajnë peng edhe 100 veta të tjerë, si edhe trupat e pajetë të më shumë se 30 personave.

Përgjigja e Izraelit, një operacion ushtarak që sipas autoriteteve izraelite ka për qëllim të eliminojë Hamasin dhe të sigurojë që grupi, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur grup terrorist, të mos kryejë sulme të tjera në të ardhmen, ka lënë të vrarë të paktën 34,183 palesitnezë dhe më shumë se 77,000 të plagosur, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi. Ministria thotë se 2/3 të vrarëve janë gra dhe fëmijë.

Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se Hamasi nuk kishte rënë dakord mbi “një propozim me vlerë që i ishte vënë në tryezë” për ndalimin e luftimeve, lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë, lirimin e të burgosurve palestinezë nga Izraeli dhe rritjen e ndihmës humanitare për civilët në Gazë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, u tha gazetarëve se në javët e fundit, Izraeli ka qenë disi i hapur për të përmbushur kërkesat e Hamasit në negociata, por më pas Hamasi i ka ndryshuar kërkesat.

“Duhen dy palë për të arritur një marrëveshje dhe deri më tani Hamasi ka sinjalizuar se nuk e do marrëveshjen”, tha zoti Miller.

Ushtria izraelite tha të martën se forcat e saj kryen gjatë natës sulme ajrore në të cilat u shkatërruan dy pozicione të Hamasit për hedhjen e raketave, në jug të Rripit të Gazës.

Forcat tokësore gjithashtu vazhduan operacionet në Gazën qendrore, ndërsa sulmet ajrore vranë dhjetëra militantë në të gjithë Gazën, tha ushtria.

Forcat izralite vranë të paktën dy luftëtarë të grupit Hezbollah në një seri sulmesh ajrore kundër objektivave të Hezbollahut në jug të Libanit, tha ushtria të martën. Ajo shpërndau në mediat sociale një video ku dukej një makinë që shpërthente si pasojë e një sulmi ajror.

Media shtetërore libaneze tha se ai që dukej të ishte një sulm ajror izraelit ndaj një makine në zonën Adloun la të vrarë të paktën një person./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat