“Luftë” për të kaluar La Manshin/ Skena kaosi në plazhet franceze, rreth 100 emigrantë u përplasën me policinë për gomonet

Evropë

“Luftë” për të kaluar La Manshin/ Skena kaosi në plazhet franceze, rreth 100 emigrantë u përplasën me policinë për gomonet

Më: 28 prill 2024 Në ora: 13:30
Foto ilustrim

Rreth 100 emigrantë u përleshën me policët francezë gjatë përpjekjes për të mësyrë një plazh nga ku do të merrnin gomonet drejt Britanisë së Madhe.

The Sun flet për skena kaosi, gjatë të cilave xhandarët francezë kanë përdorur edhe gazin lotsjellës në një përpjekje të dëshpëruar për t’i ndaluar klandestinëve atë që përshkruhet nga media e njohur britanike si “shërbim taksi në ujërat e La Manshit”.

Edhe kur një ekip prej tetë efektivësh arriti të ndalojë gomonen e parë, një tjetër mbërriti pas 15 minutash për të marrë një turmë të rinjsh. Emigrantët – kryesisht nga Vietnami dhe Sudani – arritën të marrin mjetin e dytë, e nga uji ku nisën udhëtimin 6 orësh për në Angli, i përshëndetën policët me dorë.

Ishte e qartë, shkruan The Sun, se autoritetet franceze nuk janë në gjendje të përballojnë vëllimin e madh të mjeteve të nisura nga trafikantët drejt Kentit. “Kjo është pothuajse një detyrë e pamundur për ne”, tha një burim i policisë franceze.

“Ne ndalojmë një varkë, ata marrin një tjetër. Po bëhet si lojë macja me miun”, shton ai. Kryeministri britanik Rishi Sunak u zotua disa ditë më parë se do të nisë kthimin e azilkërkuesve në Ruandë brenda 10 deri në 12 javësh.

Ai i tha Dhomës së Lordëve, dhoma e lartë e parlamentit britanik se do të zbatojë legjislacionin e ri pavarësisht kundërshtimeve. Sunak shpjegoi madje se qeveria ka rezervuar avionë dhe staf të trajnuar për të dërguar emigrantët në Ruandë.

Kjo është pjesë e përpjekjeve që ai shpreson se do të rrisin përkrahjen për partinë e tij Konservatore përpara zgjedhjeve që pritet të mbahen në fund të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat