1 maji me protesta nëpër botë! Thirrje për kushte më të mira pune, dhunë në Stamboll

Evropë

1 maji me protesta nëpër botë! Thirrje për kushte më të mira pune, dhunë në Stamboll

Më: 1 maj 2024 Në ora: 15:07
Stamboll

1 Maji, dita kur punëtorë e aktivistë marshojnë nëpër rrugë e mblidhen në qendrat e qyteteve për të nderuar punonjësit anekënd globit, riktheu në Stamboll protestat dhe dhunën.

Tubuesit janë përleshur ashpër me policinë në lagjen Sarachane teksa mijëra efektivë ishin shpërndarë më herët nëpër qytet pikërisht me qëllimin të ndalonin tubime të tilla.

Sheshi Taksim i Stambollit është mbyllur për protestat e punëtorëve që nga koha e demonstratave të vitit 2013 kundër qeverisë së presidentit Rexhep Tajip Erdogan, lëvizje kjo që u cilësua si shkelje e të drejtave nga gjykata kushtetuese e Turqisë në 2023-shin. Protestues dhe politikanë të opozitës kanë bërë thirrje që sheshi të rihapet për këtë qëllim. Me protesta u prit kjo ditë edhe në Francë, ku ligjvënësi i krahut të majtë Raphawl Glucksmann u detyrua nga tubimi që po zhvillohej me këtë rast në  Saint-Etienne, pranë Lionit pasi protestuesit nisën ta fyejnë, e më tej, e qëlluan me bojë të kuqe.  

“Kjo është ideja që ata kanë për debatin demokratik, ne nuk e mendojmë kështu. Ne jemi demokratë të vendosur në të gjithë qenien tonë”, tha deputeti Raphawl Glucksmann.

Në Bretanjë, qindra protestues marshuan për paga më të mira, për paqe dhe për një Europë më “mbrojtëse ndaj qytetarëve të vet”. Kushte më të mira pune kërkuan dhe punëtorët në Korenë e pasur të Jugut, ku gjithashtu pakënaqësitë nuk mungojnë.

 “Mendoj se vendit tonë ende i mungon kultura për t`i garantuar punonjësve kohën e duhur për të punuar, por edhe për të pushuar. Ka diskriminim mes punëtorëve të rregullt dhe jo, e ky për mua, përbën një problem social”, tha kryetar i sindikatës së punëtorëve Kim Hyung-Chul.

Protesta pati edhe në Tajvan ku tubuesit kërkuan rishikim të pagave krahasuar me periudhën përpara pandemisë së koronavirusit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat