LIVE: Putin gati të shtypë “butonin e kuq”, alarmohet NATO – çfarë fshihet pas skenarit ekstrem dhe ‘misionit special’!

Evropë

LIVE: Putin gati të shtypë “butonin e kuq”, alarmohet NATO – çfarë fshihet pas skenarit ekstrem dhe ‘misionit special’!

Nga: Bota sot Më: 7 maj 2024 Në ora: 06:30 Përditësuar në ora: 18:29 më 07.05.2024
Vladimir Putin

Alexander Lukashenko: Bota afër luftës bërthamore

Bota po i afrohet rrezikshëm një konflikti bërthamor dhe Bjellorusia do t’i përgjigjet menjëherë çdo sulmi, deklaroi presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko.

“Nëse dikush do të përdorte këto armë kundër nesh, ne do të përgjigjeshim menjëherë, nuk ka vija të kuqe: çdo agresion do të zmbrapset me një përgjigje të menjëhershme”, përfundoi Lukashenko, deklaratat e të cilit i raportoi agjencia ruse e lajmeve “Ria Novosti”.

Urdhri për stërvitjet bërthamore alarmon NATO-n, aleanca diskuton skenarin më ekstrem, çfarë mund të ndodhë nëse Moska kalon limitet

Evropa dhe Rusia kanë ngecur në një spirale tensionesh të vazhdueshme, që tanimë nuk i gjendet fundi. Provokimet nuk mungojnë ng Rusia, por dhe NATO apo përfaqëues të BE-së nuk janë kursyer aspak.

“Molla e re e sherrit” janë ,anovrat bërthamore ruse pranë kufirit me Ukrainën. Vladimir Putin ka udhëzuar Shtabin e Përgjithshëm që të përgatitet për stërvitjet për përdorimin e armëve bërthamore jostrategjike që përfshijnë marinën dhe trupat e vendosura pranë kufirit ukrainas.

Për momentin nuk ka asnjë informacion të mëtejshëm, përveç se përgatitjet sapo kanë filluar dhe do të kenë të bëjnë me rrethin ushtarak jugor të Rusisë. Vendimi i Putinit vjen në një moment shumë delikat. Prandaj, vendimi i Putinit është i destinuar të rrisë tensionin mes Rusisë dhe bllokut perëndimor.

Një tension, ndër të tjera, u rrit nga deklaratat e fundit të Emmanuel Macron në lidhje me mundësinë e dërgimit të ushtarëve në Ukrainë për të mbështetur Kievin në rast se Moska do të kalonte vijën e frontit. Agjencia ruse Ria Novosti ka njoftuar tani zgjedhjen e kreut të Kremlinit për të vazhduar me stërvitjet bërthamore pranë kufirit ruso-ukrainas, të krijuara posaçërisht për t'iu përgjigjur " provokimeve nga zyrtarët perëndimorë".

Urdhri i Putinit

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se presidenti rus Vladimir Putin ka udhëzuar Shtabin e Përgjithshëm që të përgatitet për stërvitje për përdorimin e armëve bërthamore jostrategjike.

“Për të rritur gatishmërinë e forcave bërthamore jostrategjike për kryerjen e misioneve luftarake, Shtabi i Përgjithshëm ka filluar përgatitjet për kryerjen e stërvitjeve me formacionet raketore të Qarkut Ushtarak Jugor”, thuhet në njoftimin institucional.

“Në manovra do të marrin pjesë edhe forcat ajrore dhe marina , vijon njoftimi për shtyp. Kjo gjithashtu përfaqëson "një përgjigje ndaj deklaratave provokuese dhe kërcënimeve nga zyrtarë individualë perëndimorë."

Referenca e nënkuptuar ka të bëjë me deklaratat e Emmanuel Macron dhe, me sa duket, edhe në fjalët e ministrit të Jashtëm britanik, David Cameron, i cili ditët e fundit kishte folur për mundësinë e sulmit ndaj Rusisë me armë të Mbretërisë së Bashkuar.

Takimi sekret

Mirëpo, NATO nga ana tjetër është në limitet e durimit. Anëtarët e aleancës së mbrojtjes ranë dakord "me një ton konfidencial" dhe "pa njoftime zyrtare" se cilat janë "vijat e kuqe ose të fundit të durimit" që ata nuk mund të kalojnë në rast të një avancimi të fortë rus në Ukrainë dhe kërcënimeve që Rusia "do të lëshonte", sipas gazetës italiane “La Repubblica” dhe burimet e saj konfidenciale.

Në atë takim është shqyrtuar mundësia e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Aleancës Veriatlantike në luftën në Ukrainë, një konflikt i mundshëm direkt me Rusinë. Megjithatë, ajo vë në dukje se "NATO nuk po zhvillon asnjë plan operacional" në këtë drejtim.

Megjithatë, sipas këtij “plani parimor”, sa më sipër i referohet kërcënimit të avancimit rus në Ukrainë, pra “humbjes së mundshme të Kievit”, me theks të veçantë hyrjen e një “vendi të tretë”, pra Bjellorusisë, në luftë.

Lufta totale

Rusia ka dislokuar forcat e saj atje, se po vendos edhe armët e saj bërthamore dhe se ka shënjestruar objektiva në Ukrainë nga territori i Bjellorusisë dhe se vazhdimisht spekulohet/parashikohet se mund të ketë një sulm nga Bjellorusia, madje edhe me pjesëmarrjen e ushtrisë bjelloruse, në Kiev ose Kharkiv.

Në atë takim u tha se ushtria ukrainase nuk e kontrollon plotësisht kufirin me Bjellorusinë, gjë që mund t'i lejojë forcat ruse të krijojnë një korridor midis Ukrainës dhe Bjellorusisë.

Së fundmi, në fjalimin e tij drejtuar kombit, Putin tha se dëshiron të krijojë një "zonë" midis Rusisë dhe Ukrainës dhe duke marrë parasysh rëndësinë e Bjellorusisë për Moskën, as kjo nuk përjashtohet.

Siç thotë La Repubblica, "atëherë Minsku do të përfshihet drejtpërdrejt në një konflikt ushtarak" dhe "trupat dhe arsenali i tij do të jenë me rëndësi vendimtare për Moskën". Prandaj, një “skenar” i tillë mund të intensifikojë veprimet e NATO-s në favor të Ukrainës, thuhet në artikull.

A lejohet edhe Ukraina të përdorë armë perëndimore për të sulmuar objektivat në Rusi

Pashkët ortodokse u festuan të dielën – por nuk kishte asnjë shenjë të pushimit të aksioneve ruse për pushtime të reja në Ukrainë. Ushtria ruse sulmoi edhe një herë Ukrainën me dronë, raketa dhe armë të tjera.

Në lindje të vendit, ushtria ruse vazhdon sulmet e dhunshme frontale, ndërsa ushtarët ukrainas duhet të presin dërgesat e paralajmëruara të armëve. Situata është aq e tensionuar sa një pyetje po bëhet gjithnjë e më me zë të lartë: a lejohet edhe Ukraina të përdorë armë perëndimore për të sulmuar objektivat në Rusi? Disa anëtarë të NATO-s po bëhen gjithnjë e më pragmatikë në këtë drejtim.

Kundërsulmet “të mbuluara nga ligji ndërkombëtar”

Kohët e fundit ishte David Cameron, sekretari i Jashtëm britanik që vizitoi Kievin. Qeveria e tij sapo i ka premtuar Ukrainës se do ta mbështesë vendin me tre miliardë paund ndihmë çdo vit – për aq kohë sa duhet.

“Le të jemi shumë të qartë: Rusia sulmoi Ukrainën dhe Ukraina ka të drejtën absolute të kundërpërgjigjet”, tha Cameron. “Me Rusinë që sulmon objektivat në Ukrainë, është e kuptueshme pse Ukraina e sheh nevojën për të mbrojtur veten – domethënë, për të larguar rusët nga vendi dhe për të pasur aftësinë për të luftuar.”

Cameron dëshiron t’i lërë ukrainasit të vendosin vetë se si të përdorin armët britanike. Pak më parë, ministrja e Jashtme e Letonisë, Baiba Brazhe, konfirmoi të drejtën e plotë të ukrainasve për të sulmuar territorin rus. Në një intervistë për gazetën ukrainase në internet “Europa Pravda” ajo tha: “Ukraina nuk ka nevojë vetëm për mbrojtje ajrore apo municione. Ukraina duhet të jetë në gjendje të kryejë sulme me rreze të gjatë dhe precize edhe në territorin rus, nga i cili sulmon Rusia. Ukraina është mbuluar nga ligji ndërkombëtar, Ukraina ka nevojë për armë me rreze të gjatë.

Sulmet kanë qenë prej kohësh një realitet


Deri më tani, fjalë kaq të qarta nga politikanët kryesorë perëndimorë për këtë temë rrallë mund të dëgjoheshin – të paktën në publik. Qeveria ruse, nga ana tjetër, ka njoftuar vazhdimisht se sulmet me armë perëndimore në territorin rus mund të përshkallëzojnë situatën. Kremlini akuzoi David Cameronin se me fjalët e tij rrezikon sigurinë evropiane.

Sulmet e Ukrainës ndaj Rusisë kanë qenë prej kohësh një realitet. Aeroportet, kampet ushtarake dhe rafineritë e naftës bombardohen me dronë. Rafineritë, në veçanti, janë goditur shpesh kohët e fundit. Ekspertët ushtarakë besojnë se nëse Ukraina vazhdon sulmet me dronë, Rusia mund të përjetojë mungesë benzine që në fillim të kësaj vere. Çmimet e karburantit gjithashtu mund të rriten në mbarë botën.

Sulmet ndaj rafinerive shqetësojnë SHBA-në

Kjo është ndoshta një nga arsyet pse qeveria amerikane kohët e fundit i bëri presion Presidentit ukrainas Zelenski që të ndalonte sulmin e ndonjë rafinerie në Rusi. Ndoshta thjesht sepse çmimet e larta të benzinës janë helm për presidentin amerikan gjatë fushatës zgjedhore. Por Zelensky nuk sheh alternativë tjetër për të dobësuar Rusinë. Të mërkurën e kaluar, një tjetër rafineri nafte ruse mori sërish flakë.

Zelenski tani ka mbështetjen edhe të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Rafineritë e naftës në territorin rus janë “objektiva legjitime” për sulmet nga dronët ukrainas, tha Jens Stoltenberg në fillim të prillit

Reagimi ndaj situatës në front

Politikanët perëndimorë dhe zyrtarët ushtarakë kanë dhënë prej kohësh fshehurazi bekimin e tyre ndaj sulmeve në tokën ruse. Tani gjithnjë e më shumë prej tyre po e bëjnë publik këtë qëndrim. Disa prej tyre nuk shohin më fare problem kur armët perëndimore përdoren për këto sulme.

Eksperti ushtarak ukrainas Oleh Zhdanov beson se kjo ka të bëjë me situatën e vështirë në fushën e betejës. Ekziston rreziku i një pushtimi të ri të ushtrisë ruse në zonën e Sumy ose Kharkiv, thotë Zhdanov. “Ne me siguri do të jemi të detyruar të luftojmë në kufirin tonë shtetëror,” thotë ai, kjo do të thotë se armiku do të vihet nën zjarr edhe në territorin rus.

Një marrëveshje e heshtur për rrezen operative

Herët a vonë duhej të ndodhte që vendet perëndimore të heqin dorë nga kërkesa që armët e tyre të mos përdoren në tokën ruse”, thotë ky ekspert ushtarak. Siç thotë ai, gjithsesi nuk ka pasur ndalim. Kjo vlen edhe për raketat amerikane ATACMS me rreze të gjatë veprimi që SHBA-ja i dorëzoi Ukrainës në pranverë. Ato kanë një distancë deri në 300 kilometra.

Ukraina i ka përdorur tashmë për të sulmuar disa objektiva ruse, por me sa duket vetëm në zonat e pushtuara nga Rusia. Në këtë mënyrë, siç thotë Zhdanov, ajo përmbushi kërkesën amerikane: SHBA-ja e lidhi dërgimin e raketave me kushtin që ato të përdoreshin vetëm në territorin ukrainas. Thuhet gjithashtu se ekziston kjo marrëveshje e heshtur kur bëhet fjalë për raketat britanike “Storm Shadow”: t’i përdorin ato vetëm në territorin e Ukrainës. Është çështje besimi.

Scholz nuk dëshiron të mbështetet në premtimin e Kievit

Kancelari gjerman Olaf Scholz preferon të mos mbështetet tek premtimet ukrainase – veçanërisht kur bëhet fjalë për raketat Taurus. Kjo raketë ka një rreze veprimi deri në 500 kilometra. Scholz tha kohët e fundit: “Këtu nuk mund të keni një debat si midis miqve: “A nuk më beson?” Sigurisht që u besoj miqve të mi, por nuk do t’u jepja të gjithëve të gjitha armët e mia!”

Megjithatë, eksperti ushtarak ukrainas Zhdanov beson se është e mundur që Scholz të ndryshojë mendje. “Pasi amerikanët na premtuan tanket “Abrams”, Olaf Scholz pranoi të dorëzonte tanket “Leopard” – megjithëse ai më parë tha se tanke të tilla nuk do të përdoreshin kurrë në ushtrinë ukrainase,” thotë Zhdanov, duke shtuar: “Kjo është arsyeja pse unë mendoj, se është e mundur që Olaf Scholz, nëse rrethanat zhvillohen në një mënyrë të tillë, të ndryshojë mendje dhe të japë raketat Taurus.

Rrethanat në fakt po ndyshojnë – jo për mirë: Rusia vazhdon të përparojë. Në raste të tilla politikanët bëhen edhe pragmatikë. /DW

Frenimi i Perëndimit, Putin zgjedh “të preferuarin” e tij për misionin special

Akademiku rus Sergei Karaganov 71vjeç do të analizojë dhe studiojë mënyrat efektive të "frenimit të Perëndimit" për Kremlinin, shkruan The Times.

Pedagogu në Shkollën e Lartë të Ekonomisë në Moskë, një nga universitetet më prestigjioze të Rusisë, u punësua për të kryer kërkime të mëtejshme të politikës së jashtme për Kremlinin.Krahas të qenit këshilltar i Putinit për politikën e jashtme dhe kreu i një instituti me ndikim rus, Karaganov është një nga ithtarët më të mëdhenj të luftës në Ukrainë.

“Presidenti rus ka të drejtë që dëshiron të çlirojë botën nga zgjedha perëndimore”, thotë, dhe vitin e kaluar ai i bëri thirrje Vladimir Putinit të kryejë një sulm parandalues bërthamor në Evropë.

“Hedhja e një bombe bërthamore në Evropë do të testonte përkushtimin e Amerikës ndaj politikës së mbrojtjes kolektive të NATO-s... Një sulm bërthamor është mënyra më e mirë për të shpëtuar botën nga një luftë në shkallë të plotë që mund ta lërë Tokën në gërmadha radioaktive. Nga ana morale, është një zgjedhje e tmerrshme, sepse ne do të përdorim armët e Zotit, duke dënuar kështu veten. Por nëse nuk e bëjmë, jo vetëm që Rusia mund të vdesë, por me shumë mundësi i gjithë qytetërimi njerëzor do të pushojë së ekzistuari”, shkroi Sergey Karaganov në një ese vitin e kaluar.

Ndihmësi i ri i Kremlinit pretendon gjithashtu se një fitore ruse në Ukrainë mund të arrihet vetëm nëse Perëndimi detyrohet të tërhiqet apo edhe të dorëzohet.

Ai gjithashtu paralajmëroi se Kina nuk ka gjasa të mbështesë Rusinë në nisjen e një sulmi parandalues bërthamor në Evropë, por tha se Pekini "gjithsesi do të ishte i lumtur sepse do të ishte një goditje e fortë për reputacionin dhe pozitën e SHBA".

Putin betohet si president i Rusisë për herë të pestë

Presidenti rus Vladimir Putin u betua për një mandat të ri gjashtëvjeçar të martën në një ceremoni që u bojkotua nga SHBA dhe një numër vendesh të tjera perëndimore për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Putin, i cili ka mbajtur pushtetin si president ose kryeministër që nga viti 1999, fillon mandatin e tij të ri më shumë se dy vjet pasi dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, ku forcat ruse po kërkojnë avancim.

Në moshën 71-vjeçare, Putin dominon peizazhin e brendshëm politik. Në skenën ndërkombëtare, ai është në një konfrontim me vendet perëndimore, të cilat i akuzon se përdorin Ukrainën si një mjet për të provuar ta mposhtin dhe copëtojnë Rusinë. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore qëndruan larg ceremonisë së inaugurimit të së martës.

“Jo, ne nuk do të kemi një përfaqësues në inaugurimin e tij,” tha të hënën Matthew Miller, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA. “Ne sigurisht që nuk i konsideruam ato zgjedhje të lira dhe të ndershme, por ai është presidenti i Rusisë dhe do të vazhdojë në atë cilësi.”

Britania, Kanadaja dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian vendosën gjithashtu të bojkotojnë betimin, por Franca tha se do të dërgonte ambasadorin e saj.

Putini në mars fitoi një fitore dërrmuese në një zgjedhje të kontrolluar fort, ku dy kandidatë kundër luftës u ndaluan për arsye teknike. Kundërshtari i tij më i njohur, Alexei Navalny, vdiq papritur teksa ndodhej në një burg të Arktikut një muaj më parë, dhe kritikë të tjerë janë në burg ose janë detyruar të ikin jashtë vendit.

Macron: Franca nuk është në luftë me Rusinë

“Franca nuk është në luftë me Rusinë”. Kështu u shpreh presidenti francez Emmanuel Macron në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin kinez, Xi Jinping.

“Ne nuk jemi në luftë me Rusinë apo popullin rus,” tha ai në komentet e transmetuara në internet në llogarinë X të Pallatit Elysee. 

"Ne gjithashtu nuk po kërkojmë një ndryshim pushteti në Rusi”, shtoi ai.

Macron tha se vendet e BE-së janë të gatshme të “mbështesin Ukrainën për aq kohë sa duhet”.

Dyshimet për spiunazh, Gjermania thërret për konsultime ambasadorin e saj në Moskë

Gjermania thirri për konsultime të dërguarin e saj në Moskë, pas dyshimeve se spiunët ushtarakë rusë kanë hakuar emailet e anëtarëve kryesorë të Partisë Social Demokrate të kancelarit Olaf Scholz, si dhe objektiva të tjera të ndjeshme qeveritare dhe industriale.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane tha të hënën se Alexander Graf Lambsdorff do të kthehet në Berlin për një javë konsultime.

Lambsdorf nuk do të jetë në Rusi gjatë inaugurimit të presidentit Vladimir Putin për një mandat të ri, i cili do të zhvillohet më 7 maj, tha zëdhënësi.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha më 3 maj se hakerët ushtarakë rusë ishin pas një operacioni të hakerimit, i cili zgjati me muaj.

Gjithashtu javën e kaluar, Ministria e Brendshme gjermane tha se fushata e hakerëve filloi që në mars të vitit 2022 – një muaj pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës – dhe se ata arritën të kenë qasje në emailet e selisë së Partisë Social Demokrate që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Sipas deklaratës së kësaj ministrie, në shënjestër të hakerëve ishin edhe kompani gjermane, përfshirë ato në sektorët e mbrojtjes dhe të hapësirës ajrore, si dhe objektiva që lidhen me luftën në Ukrainë.

Zyrtarët thanë se sulmet kibernetike vazhduan për muaj të tërë

Kremlini paralajmëron Londrën pas deklaratës së Cameron

Rusia paralajmëroi Britaninë të hënën se nëse armët britanike do të përdoren nga Ukraina për të goditur territorin rus, atëherë Moska mund të godasë objektet dhe pajisjet ushtarake britanike brenda Ukrainës dhe jashtë saj.

Ambasadori britanik Nigel Casey, u thirr në një notë proteste nga Ministria e Jashtme e Rusisë pasi Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, tha javën e kaluar se Ukraina kishte të drejtë t’i përdorte armët britanike për të goditur Rusinë.

Britania e mohoi lajmin për thirrjen e zotit Casey, duke thënë se ai kishte biseduar me zyrtarë rusë “në një takim diplomatik” në të cilin ai “përsëriti mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën përballë agresionit të paprovokuar rus”.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se citimet e zotit Cameron e bënin të qartë se tani Britania ishte de fakto pjesë e konfliktit, duke rënë në kontradiktë me një garanci të mëparshme se, armët me rreze të gjatë të dhëna Ukrainës nuk do të përdoreshin kundër Rusisë.

“Casey u paralajmërua se në rast të përdorimit të armëve britanike nga ana e Ukrainës për të sulmuar territorin rus, çdo objekt dhe pajisje ushtarake britanike në territorin e Ukrainës dhe jashtë saj” mund të viheshin në shënjestër nga Kremlini, tha ministria e jashtme ruse.

Moska tha se i konsideron komentet e zotit Cameron si përshkallëzim serioz.

Ambasadorit iu kërkua që të reflektonte mbi pasojat e pashmangshme katastrofike të hapave të tillë armiqësorë të Londrës, dhe të përgënjeshtronte menjëherë deklaratat agresive dhe provokuese të kreut të Ministrisë së Jashtme në mënyrën më të prerë dhe të qartë”.

Gjatë një vizite në Kiev javën e kaluar, zoti Cameron i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Ukraina kishte të drejtë t’i përdorte armët e ofruara nga Britania për të goditur objektivat brenda Rusisë dhe se i takon Kievit që të marrë vendimet.

Zëdhënësi i zyrës së jashtme britanike tha të hënën se ambasadori Casey kishte ritheksuar gjithashtu “qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të Ukrainës” në takimin me zyrtarët rusë.

Gjermania paralajmëron Rusinë kundër përdorimit të armëve bërthamore në luftën në Ukrainë

Pas njoftimit të Rusisë për stërvitjet që përfshijnë përdorimin e armëve bërthamore taktike , kancelari gjerman Olaf Scholz paralajmëroi Moskën kundër vendosjes së armëve atomike në luftën e Ukrainës .

Është gjithmonë e rëndësishme të thuhet me zë të lartë se armët bërthamore nuk duhet të përdoren në këtë luftë,” tha Scholz në një konferencë shtypi në Riga, kryeqyteti i Letonisë, ku morën pjesë kryeministrat e tre shteteve baltike – Lituania, Letonia dhe Estonia.

Sipas Scholz, po punohet për organizimin e një konference paqeje në Zvicër, e cila duhet të jetë një nga mesazhet e qarta për Rusinë.

Scholz mbërriti në Letoni të hënën për vizitën e tij të parë zyrtare si kancelar, si pjesë e një turneu në tre shtetet baltike, të cilat të gjitha janë gjithashtu partnerë të NATO-s.

Ai tha se agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ishte një gabim dhe se në vend që të ndante Evropën dhe të dobësonte NATO-n, ai forcoi unitetin e tyre.

Më herët gjatë ditës, Rusia njoftoi se do të kryejë stërvitje që përfshijnë përdorimin e armëve bërthamore taktike në përgjigje të liderëve të lartë evropianë që shprehin mbështetje më të fortë ushtarake për Ukrainën.

Sipas Kremlinit, Presidenti Vladimir Putin urdhëroi stërvitjet ushtarake në përgjigje të deklaratave të vendeve perëndimore dhe anëtare të NATO-s për dërgimin e trupave në Ukrainë.

Më parë, Scholz siguroi partnerët e NATO-s në rajonin e Detit Baltik se Gjermania do të ofronte mbështetje të besueshme ushtarake.

“Gjermania qëndron në mënyrë të palëkundur në anën e shteteve baltike,” tha kancelari në qytetin lituanez Pabrade, ku ai vizitoi ushtarët gjermanë.

Dhe kjo do të thotë se ne mbrojmë njëri-tjetrin dhe se të gjitha shtetet mund të mbështeten tek ne për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të tyre”, shtoi Scholz.

Në përgjigje të situatës së ndryshuar të sigurisë pas luftës së Rusisë në Ukrainë, Gjermania ka filluar të stacionojë një brigadë prej rreth 4,800 ushtarësh në Lituani. Për më tepër, ushtarë gjermanë nga Divizioni i 10-të i Blinduar po marrin pjesë aktualisht në një stërvitje të madhe ushtarake të NATO-s në Lituani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat