Londër, gjykata: Julian Assange mund ta apelojë vendimin për ekstradim

Evropë

Londër, gjykata: Julian Assange mund ta apelojë vendimin për ekstradim

Më: 20 maj 2024 Në ora: 16:32
Foto ilustrim

Themeluesi i WikiLeaks-it Julian Assange mund ta apeloj një urdhër për ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara nën akuzat për spiunazh. Vendimi që u mor të hënën nga një gjykatë në Londër ka të ngjarë të zvarritë edhe më tej atë që tashmë ka qenë një sagë e gjatë ligjore.

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë Victoria Sharp dhe Jeremy Johnson thanë se zoti Assange ka arsye ta kundërshtojë urdhrin e ekstradimit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Ndaj 52 vjeçarit Julian Assange rëndojnë 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për përdorim për qëllime keqdashëse të kompjuterit, lidhur me publikimin rreth 15 vite më parë në faqen e tij të internetit, të dokumenteve të klasifikuara amerikane.

Vendimi i gjykatës u prit me brohoritje nga mbështetësit e zotit Assange të mbledhur jashtë dyerve të saj.

Eksperti australian i kompjuterave i ka kaluar pesë vitet e fundit në një burg britanik të sigurisë së lartë pasi u strehua në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për shtatë vjet.

Julian Assange nuk ishte në gjykatë për të dëgjuar vendimin për arsye shëndetësore, sipas avokatit të tij.

Avokati Edward Fitzgerald tha se prokurorët nuk kishin garantuar që zoti Assange, i cili është një shtetas australian dhe pretendon mbrojtje si gazetar për publikimin e informacioneve të klasifikuara të qeverisë amerikene, të mbështetet në mbrojtjen që garanton Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane për lirinë e shprehjes.

Prokurorët amerikanë pretendojnë se zoti Assange inkurajoi dhe ndihmoi analisten e zbulimit të ushtrisë amerikane Chelsea Manning, që të vidhte kabllogramet diplomatike dhe dosjet ushtarake të cilat u publikuan në WikiLeaks.

Avokatët e zotit Assange thonë se ai ishte një gazetar që ekspozoi shkeljet e bëra nga ushtria amerikane në Irak dhe Afganistan. Dërgimi i tij në SHBA thanë ata, do ta vendoste zotin Assange para mundësive për një ndjekje penale të motivuar politikisht dhe do të rrezikonte në një “mohim flagrant të drejtësisë".

Qeveria amerikane thotë se veprimet e Julian Assange-t shkuan shumë përtej atyre të një gazetari, që mbledh informacione dhe se ishin një përpjekje për të kërkuar, vjedhur dhe botuar, pa dallim, dokumente të klasifikuara qeveritare.

Në mars, dy gjyqtarë të Gjykatës së Lartë hodhën poshtë pjesën më të madhe të argumenteve të zotit Assange, por thanë se ai mund ta çonte çështjen e tij në Gjykatën e Apelit, nëse Shtete e Bashkuara nuk garantonin se ai nuk do të përballej me dënimin me vdekje nëse ekstradohej dhe se do të gëzonte të njëjtën mbrojtje për fjalën e lirë, si çdo qytetar amerikan.

Gjykata tha se nëse zoti Assange nuk mund të mbështetej tek Amendamenti i Parë, atëherë kjo do ta bënte estradimin e tij të diskutueshëm, nëse ishte i papajtueshëm me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila gjithashtu siguron lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e medias.

Shtetet e Bashkuara thonë se zoti Assange mund të kërkojë të mbështetet tek amendamenti i parë i kushtetutës, por do të jetë në dorën e gjykatësit të vendosë nëse ai mund ta bëjë një gjë të tillë.

Avokati James Lewis, që përfaqëson qeverinë amerikane tha se verimet e zotit Assange nuk "mbroheshin" nga Amendamenti i Parë.

“Askush, as qytetarët amerikanë dhe as shtetasit e huaj, nuk kanë të drejtë të mbështeten tek Amendamenti i Parë në lidhje me publikimin e informacionit mbi mbrotjen kombëtare të siguruar në mënyrë të paligjshme, duke dhënë emra burimesh të pafajshme e duke i vendosur ata përballë një rreziku të menjëhershëm për t’u dëmtuar”, tha ai.

Avokatët e zotit Assange thonë se ai mund të përballet me 175 vjet burg nëse shpallet fajtor, por autoritetet amerikane kanë thënë se çdo vendim për dënimin e tij, do të parashikonte një masë shumë më të shkurtër dënimi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat