Spektakël, adrenalinë, emocione në Krujë

Formula 1

Spektakël, adrenalinë, emocione në Krujë

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 14:29
Spektakël, adrenalinë, emocione

Spektakël, adrenalinë, emocione dhe një fundjavë e kushtuar plotësisht shpejtësisë dhe dëshirës për t’u ngjitur në podium si fitues. Klubi i Automobilit të Shqipërisë vazhdon traditën duke organizuar për të 6-in vit radhazi garën “Hill Climb Trofeu Skënderbej 2019”. Eventi do të zhvillohet në datat 7 dhe 8 shtator 2019 në rrugën e malit Sarisalltik në Krujë.

Gara është e regjistruar në kalendarin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) dhe është e vlefshme për kampionatin “Hill Climb” të Zonës së Evropës Qendrore(CEZ-FIA).

Një event ku do të ketë një pjesëmarrje të konsiderueshme pilotësh. Deri tani, në total, janë regjistruar 47 pilotë, nga të cilët 25 në kategorinë profesionistë dhe 22 në kategorinë promo. Sa u përket profesionistëve, ata janë pilotë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe në ditët në vijim pritet të regjistrohen edhe nga shtete të tjera. Këta pilotë garojnë për kampionatin Hill Climb të Zonës së Evropës Qendrore (CEZ-FIA).

Gjithashtu është edhe kategoria promo ku pilotët garojnë për sa i përket renditjes së tyre në Shqipëri.

Itinerari ka një gjatësi prej 3.800 metrash. Në pikën e nisjes ka një lartësi prej 790 metrash mbi nivelin e detit, ndërsa në finish, në vendin e quajtur Sarisalltik, është 1130 metra. Diferenca është 340 metër. Pista do të jetë e mbyllur për trafikun normal gjatë sesionit të provave të lira dhe garës. Rruga është e gjitha me asfalt me një gjerësi prej gjashtë metrash, ndërsa ka 7 kthesa majtas dhe 8 djathtas.

Kujtojmë që një vit më parë u shpall fitues piloti polak Grzegorz Duda me automjetin Hyundai i20 WRC me kohën 2 minuta, 22 sekonda e 95 të qindat. Ky event po bëhet gjithmonë e më shumë i preferuar nga pilotët pasi jo vetëm kanë mundësinë që të marrin pjesë në një garë të rëndësishme, të vlefshme për Kampionatin “Hill Climb” të Zonës së Evropës Qendrore, por gjithashtu shijojnë edhe peizazhin mbresëlënës që të ofron itinerari me finishin që ndodhet 1130 metra mbi nivelin e detit. Një prej pikave me pamje spektakolare që vizitohet së tepërmi nga turistët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat