Wolff provokon Red Bullin

Formula 1

Wolff provokon Red Bullin

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 11:41
Wolff

Për disa vite me radhë, Mercedes dominoi në Formula 1, ku shpallej kampione si për pilotë ashtu dhe për konstruktorë. Tashmë prej tri sezonesh në fron është ulur makina Red Bull, që këtë vit bëri ligjin, me 21 fitore ne 22 gara. Toto Wolff, shefi i Mercedes, ka folur për këtë moment jo të mirë të makinës gjermane dhe të ardhmen.

“Garat e ndërlikuara janë ato nga ku mësohet më shumë.

Unë e them gjithnjë që rivalët tanë do t’i kujtojnë me nostalgji këto fitore, pasi ne do të rritemi, po rritemi dita-ditës. Nuk duam të jemi një ekip me yje, por një skuadër me superyje”, tha Toto Wolff.

Shefi i Mercedes nuk është shumë i kënaqur nga ky sezon: “Përgjatë këtij viti kuptuam se makina jonë nuk ishte e qëndrueshme, telajo dhe gomat nuk përshtateshin si duhet mes tyre. Ky ishte problem më i madh që korrigjuam. Patëm mjaft momente të vështira, por u renditëm të dytët për konstruktorë”.

“Unë dua gjithnjë të fitoj, të renditem i dyti apo i treti nuk ka rëndësi edhe pse nga ana financiare ka disa përfitime. Ndaj i gëzohemi deri diku vendit të dytë, por e gjithë skuadra bëri një punë të mirë.

Viti 2024? Kemi një mal të lartë për të ngjitur dhe një diferencë të madhe për të mbyllur me Red Bull. Kemi marrë disa masa, të shohim testet se si do të dalim. Jam i emocionuar, mezi po pres”, tha Wolff.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat