Ish lojtari i Real Madridit e cilëson Messin si nga një botë tjetër

Futboll

Ish lojtari i Real Madridit e cilëson Messin si nga një botë tjetër

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 10:52
Leo Messi

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, është e pamundur që të ndalet, sipas ish mesfushorit të Real Madridit, Rafael van der Vaart.

31-vjeçari argjentinas po shijon një sezon spektakolar, duke shënuar “hat-trick” e 50-të në karrierën e tij. Këtë “jubile” e rrumbullakosi në fitoren e La Ligas ndaj Sevilla, të shtunën e kaluar.

Përpara ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, Van der Vaart foli për atributet që e bëjnë Messin të pandalshëm.

“Ai është nga një botë tjetër, – tha holandezi për “El Larguero”. – U mahnita me paraqitjen që bëri kundër Sevillas. Është e pamundur ta ndalosh atë, sepse ai shfaqet kudo. Ai vallëzon me topin, ka shpejtësi dhe teknikë, ndaj nuk mund ta mbrosh”.

Van der Vaart shpreson që ish skuadra e tij të përparojë në finalen e Kupës së Mbretit, me sfidën e parë të mbyllur 1-1 në “Camp Nou”. Ish lojtari i kombëtares së Holandës kujtoi një “El Clasico” të një dekade më parë, kur Messi dhe Thierry Henry shënuan në fitoren 6-2 të Barcelonës në Madrid.

“Kur isha në Madrid, Barcelona ishte shumë më mirë se ne, shumë më mirë se të gjitha ekipet e tjera në botë, në atë kohë. Më kujtohet që ndeshja përfundoi me rezultatin 2-6, dukej si një lojë “PlayStation”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat