Zidane: Thoni çfarë të doni, Modrici e meritoi Topin e Artë

Futboll

Zidane: Thoni çfarë të doni, Modrici e meritoi Topin e Artë

Më: 5 prill 2019 Në ora: 18:46
Luka Modric

Trajneri francez insistoi se mesfushori i skuadrës së tij ishte më i mirë se Lionel Messi e Cristiano Ronaldo gjatë vitit 2018.

Trajnerit të Real Madridit, Zinedine Zidanit, i vjen keq për ish-trajnerin e klubit madrilen, Radomir Antic, pasi ky i fundit pretendoi se Luka Modrici nuk e meritonte ta fitojë Topin e Artë.

Antic kishte thënë se ishte e pakuptimtë t’ia japësh Topin e Artë Modricit, i cili e fitoi titullin e Ligës së Kampionëve dhe arriti deri në finale të Kupës së Botës me Kroacinë vitin e kaluar, sepse ai nuk shënon mjaftueshëm gola dhe nuk asiston mjaftueshëm.

Megjithatë, Zidane insiston se Modrici e meritoi plotësisht t’i japë fund dominimit dhjetëvjeçar të Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messi për këtë çmim.

“Njerëzit mund të thonë çfarë të duan. Më vjen keq për njerëzit që thonë gjëra të tilla. Ai e meriton Topin e Artë, e fitoi atë, me aftësinë dhe sjelljen e tij. Nëse dikush mendon ndryshe, atëherë më vjen keq”, u shpreh Zidane.

Këtë deklaratë Zidane e bëri në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Eibarit, e cila do të zhvillohet nesër në orën 16:15 në kuadër të La Ligës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat