Kërkohet ndryshimi i formatit në Ligën e Kombeve, flet zyrtari i UEFA-s

Futboll

Kërkohet ndryshimi i formatit në Ligën e Kombeve, flet zyrtari i UEFA-s

Më: 14 qershor 2019 Në ora: 20:15
Foto ilustrim

Liga e Kombeve u mbyll vetëm pak ditë më parë dhe u cilësua një turne i suksesshëm, pasi i dha mundësinë ekipeve që të përballeshin me ndeshje zyrtare në vend të miqësoreve.

Por jo të gjithë e mendojnë kështu dhe sidomos skuadrat e mëdha, të cilat në fakt kanë dalë me humbje nga ky turne.

Ekipet pjesëmarrëse në Ligën A ishin në grupe me 3 skuadra, për t’u dhënë mundësinë që për çështje komerciale të zhvillonin më shumë miqësore, siç e kishin kërkuar vetë.

Por Gjermania në rastin më konkret pa të binte ndjeshëm numri i shikuesve, deri në 25 mijë për ndeshje miqësore, ndërsa në sfidën ndaj Francës, për Ligën e Kombeve, kishte 67 mijë tifozë të pranishëm në stadium.

Sipas “Sky Sports”, pas ankesës së të mëdhenjve, UEFA po merr në konsideratë idenë që të çojë në 4 numrin e skuadrave në Ligën A që nga edicioni i ardhshëm e kësisoj, do të shpëtojë Gjermaninë nga turpi, pasi ajo ishte “viktima” më e bujshme e formulës, duke rënë në Ligën B.

Atje gjermanët do të pësonin humbje më të ndjeshme, pasi do të ndesheshin me skuadra mesatare në Europë e jo me gjigandët që garantojë shumë tifozë.

Gjermania dhe 3 skuadrat e tjera që ranë nga Liga A, do të “faleshin” për këtë edicion testues, duke mbetur në elitë, ndërsa e njëjta gjë mund të bëhej me ekipet e Ligave B dhe C, duke kthyer Ligën D në atë me më pak pjesëmarrës.

“UEFA po sheh gjithmonë variante dhe opsione të ndryshme për të përmirësuar kompeticionet, përfshirë edhe ndryshime të mundshme në formatin e tyre.

Por UEFA nuk ka qenë në trysni nga asnjë Federatë për të ndryshuar formatin aktual të Ligës së Kombeve, asnjë vendim nuk është marrë në këtë drejtim”, ishte reagimi zyrtar i UEFA-s për çështjen në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat