Gjoka: Shkëndija ka shkurtuar diferencën me Vardarin

Futboll

Gjoka: Shkëndija ka shkurtuar diferencën me Vardarin

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 11:00
Gjoka: Shkëndija ka shkurtuar diferencën me Vardarin

Skuadra e futbollit Shkëndija nga Tetova është kthyer në formën më të mirë të mundshme dhe gradualisht po i afrohet kreut të tabelës. Kampioni në fuqi Shkëndija aktualisht është në vend të tretë me 24 pikë dhe ngec për shtatë pikë nga lideri Vardari pas 16 javëve të zhvilluara deri me tash.

Kryetrajneri i Shkëndijës, Ernest Gjoka ka reflektuar me pozitivitet pas triumfit bindës 6:1 përballë Renovës. “Mendoj se gradualisht ekipi po përgjigjet ndaj gjërave që ne kërkojmë si staf. Mendoj se na duhet akoma më shumë punë, sepse që të arrish të krijosh një filozofi loje don shumë orë pune”, tha Gjoka. Ai është i lumtur me angazhimin e djelmoshave të tij: “Mua sinqerisht më pëlqeu skuadra sepse ishte përgatitur ndeshja pak me vështirësi pasi dihet se derbit e qytetit janë të vështira. Duke u mbështetur edhe te ndeshja e parë që kishte fituar Shkëndija, por kishte pasur shumë problem, kjo na bëri të jemi pak të tensionuar për këtë ndeshje.

Por gjithsesi erdhën momente të mira dhe arritëm ta kalonim me fitore këtë ndeshje”.

Gjashtë herë shënuan kundër Renovës dhe kjo e kënaq shumë Gjokën. “Më kënaq fakti që gjashtë autor të ndryshëm shënuan golat dhe kjo tregon se skuadra po reagon dhe goli vjen nga aksionet që kanë një mendim. Sigurisht, sa më shumë të shënojnë, aq më mirë është që mos të kemi vetëm një pikë referimi, sepse duke qenë se një skuadër mund të ketë vetëm një pikë referimi kundërshtarët mund të marrin masa”, ka thënë Gjoka.  Futbollistët e Shkëndijes treguan angazhim të madh, sidomos në periudhën e dytë të lojës kur i realizuan edhe pesë gola tjerë.

 “Golat ishin aksione të paramenduara dhe gjëra që i kemi ushtuar dhe më kënaq fakti që këto gjëra spikasin. Por ne kemi akoma shumë punë për të bërë sepse kampionati është shumë i gjatë dhe ne jemi shumë larg nga ato objektiva që Shkëndija ka si klub”, ka thënë Gjoka.  Kryetrajneri është i kënaqur që e kanë ngushtuar edhe diferencën me pikë me Vardarin.

“Kemi shkurtuar diferencën me kreun dhe kjo duhet të na karikojë sepse kampionati fitohet edhe me gjysmë pike, jo më të jesh shtatë pikë larg. Diferenca vazhdon të jetë shumë e madhe dhe ne ende nuk kemi arritur të bëjmë ato objektiva që na takojnë”, ka thënë Gjoka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat