Duka i bën dalje Mavrajt

Futboll

Duka i bën dalje Mavrajt

Më: 8 janar 2020 Në ora: 19:20
Duka i bën dalje Mavrajt

Armand Duka “hap zemrën” në mediat italiane dhe mes rreshtave zbulon edhe lajme të rëndësishme. Së pari, sipas presidentit të FSHF-së, kapiteni i ri do të jetë Hysaj, çka duket se është marrë vendimi përfundimtar për të ardhmen e Mavrajt. Ai pohon se Panuçi jo vetëm që e ka zhgënjyer, por edhe e ka prerë në besë pasi u largua. “Më hidhëroi kur më kërkonte edhe shpërblimet pasi u shkarkua”, thotë Duka ndër të tjera në intervistën e dhënë për “Gazzetta dello Sport”, duke i thurur elozhe më pas të gjithë lojtarëve që luajnë në Serinë A. 

Është presidenti i EuroShqipërisë: “Pas kualifikimit historik në Euriopianin 2016 synojmë të shkojmë në Euro 2024 me Edi Rejën, trajner i kombëtares sonë dhe të moshave U-17, U-19, U-21”. Armand Duka, shefi i Federatës Shqiptare të Futbollit, është në krye të saj prej 17 vitesh, po kryen një mision kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në bashkëpunim indirekt me Italinë po kryeson rritjen futbollistike të vendit të tij: “U besojmë shpesh trajnerëve italianë sepse janë mjeshtra të taktikës dhe të disiplinës. Talentet tona më të mëdha luajnë në Serinë A dhe kjo i ndihmon që të rriten”. Po rritet mësë miri Marash Kumbulla, 20 vjeç, mbrojtës, talent që i është rritur vlera nga Verona dhe që Edi Reja e projekton si të ardhmen e mbrojtjes. Sot është pjesë e bebi-merkatos.

President Duka, Kumbulla është xhevahiri i ri i futbollit shqiptar dhe shumë i ndjekur nga klube të mëdha si Napoli dhe Lacio. Mendoni se ai është gati për një hap të tillë?

Kumbulla është profili i lojtarit shqiptar me më shumë të ardhme. Është 20 vjeç, po bën gjëra të mira te Verona, është rritur tek moshat e këtij klubi dhe është thirrur nga trajneri Reja, madje ka debutuar duke luajtur disa minuta. Është i destinuar për të qenë një lojtar i madh. Është i fortë taktikisht, fizikisht dhe ka karakter të mirë. Tek Verona është edhe Rrahmani, ka luajtur me Shqipërinë, por më pas vendosi të zgjedhë Kosovën.

Marashi i është shtuar Strakoshës, Hysajt, Gjimshitit që luajnë gjithashtu në Serinë A…

Hysaj është kapiteni ynë, është lojtari me më shumë eksperiencë dhe shpresojmë që të sërish hapësira tek Napoli. Me Ançelotin luajti shumë pak. Gjimshiti është një lojtar i mirë, luan në Champions dhe kjo nuk është pak për ne. Strtakosha dhe Berisha janë të fortë dhe vënë në vështirësi zgjedhjeje trajnerin Reja. Por në Serinë B është edhe Veseli me Empolin.

Nga Dosena te Reja, vazhdon “dinastia” e trajnerëve italianë në stolin e Shqipërisë…

Trajnerët italianë kanë sukses kudo, këtë e thotë historia. E nisa duke i dhënë besim Dosenës, por qëndroi pak. I dyti ishte De Biazi, na çoi në Europian për herë të parë dhe iu dha edhe nënshtetësia shqiptare. Tek ne kosniderohet hero. Pas tij erdhi Panuçi, i vetmi që më zhgënjeu pak.

Aq shumë ju zhgënjeu saqë e shkarkuat…

Nuk arriti të krijonte një klimë të mirë. Vendosa ta marr trajner për shkak të karakterit të fortë që tregonte në fushë, pasi e admiroja kur e shihja në televizor. Ishte pa eksperiencë si trajner, por kjo nuk më kushtëzoi që t’i ofroja postin në kombëtare. Kur erdhi më tha “president, nëse një ditë do të më shkarkoni, atëherë nuk do t’ju kërkoj asgjë”. Nuk ndodhi kështu. Madje tani na ka sjellë edhe një kërkesë që duhet t’i paguajmë shpërblimet e pas-shkarkimit. Këtë kërkesë po e studiojnë avokatët, por nuk është çështje lekësh, mua kjo më ka hidhëruar.

Zgjodhët Rejën, po ku doni të mbërrini me të?

Është një trajner ekspert dhe së bashku me të dhe stafin e tij do të përpiqemi të çojmë përpara një projekt afatgjatë. Kualifikimi në Botëror është i vështirë, por synojmë me të gjitha forcat që të kualifikohemi në Europianin 2024. Është ëndrra ime.

Tërmeti i nëntorit tronditi vendin, por cenoi edhe pak festën e inaugurimit të stadiumit të ri kombëtar, që është edhe një simbol i rilindjes…

Stadiumi i ri është gjëja më e bukur në Shqipëri sot dhe është tejet i rëndësishëm për ne. Në stadiumet e qyteteve që u goditën nga tërmeti tani janë vendosur çadra për të dëmtuarit. Të gjithë lojtarët e Kombëtares dhuruan para të konsiderueshme për të dëmtuarit, ndërkohë që ka kontribuuar edhe vetë federata italiane me në krye presidentin Gravina.

Reja gjithashtu dha një kontribut, por edhe klubi i Lacios. Me paratë e mbledhura do të mund të ndërtojmë shtëpi të reja. Më 10 janar do të luhet edhe një ndeshje mes legjendave të futbollit italian, grek, turk dhe shqiptar. Të ardhurat do të shkojnë për bamirësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat