Spektakël në San Siro, Derby della Madonnina frymon zikaltër

Futboll

Spektakël në San Siro, Derby della Madonnina frymon zikaltër

Më: 9 shkurt 2020 Në ora: 23:03
Pamje nga ndeshja

Spektakël golash dhe rikthim i pabesueshëm i Interit ka ndodhur sonte në San Siro. Edhe pse në moshë, Zlatan Ibrahimovic ishte në elementin kryesor ku asistoi dhe shënoi në këtë derbi. Megjithatë, Ibrahimovic nuk mjafton dhe në pjesën e dytë Interi e përmbys Milanin për të fituar tri pikë dhe barazuar me Juventusin në luftën e tyre për Skudeto

Gola, spektakël dhe rikthime.

Kjo është ajo që ndodhi në derbin e njohur si “Derby della Madonnina” sonte në Serie A, ku një ndeshje kaq të bukur moti nuk e kemi parë në elitën e futbollit italian.

Milan e nisi shumë më mirë këtë takim dhe fillimisht ishte afër për të shënuar në minutën e 20-të kur Hakan Calhaloglu goditi shtyllën.

Megjithatë pas 30 minutave lojë Interi filloi të këndellet dhe ishin afër për të kaluar në epërsi me anë të Vecinos por Donnarruma bëri një pritje fenomenale.

Në minutën e 40 pas një krosimi, Zlatan Ibrahimovic do të asistonte me kokë për Ante Rebic i cili kaloi Milanin në epërsi.

Për të treguar se sa i rëndësishëm është për Milanin, Ibrahimovic do të shënonte në minutën e parë shtesë të pjesës së parë për t’i dhënë Milanit një siguri për në pjesën e dytë.

Megjithatë, në pjesën e dytë Interi kishte tërësisht një fytyrë tjetër.

Ata shënuan dy gola brenda dy minutave.

Marcelo Brozovic do të shënonte në minutën e 51-të kurse Vecino do të barazonte rezultatin në minutën e 53-të.

Goli i përmbysjes erdhi në minutën e 70 dhe ishte një supergol i mbrojtësit Stefan de Vrij.

Inter ishte afër golit të katër kur nga goditja e lirë goditi shtyllën Christian Eriksen.

Milan tentoi të kthehet në lojë dhe ishte shumë afër për ta bërë këtë kur Ibrahimovic goditi shtyllën në minutën e 90-të.

Krejt në fund rezultatin do ta vuloste Romelu Lukaku në minutën e tretë shtesë të ndeshjes për rezultat përfundmtar 4-2.

Me këtë fitore Inter arrinë në kuotën e 54 pikëve duke u barazuar me Juventusin që e ruan pozitën e parë për shkak të fitores se Juventus në San Siro.

Ndërkohë Milan mbetet në vendin e tetë me 32 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat