Futbollisti shqiptar tregon momentin më të errët të karrierës

Futboll

Futbollisti shqiptar tregon momentin më të errët të karrierës

Më: 1 maj 2020 Në ora: 17:35
Futbollisti shqiptar tregon momentin më të errët të karrierës

Partizani i këtij sezoni ka pasur luhatje të shumta dhe mbrojtja ka qenë reparti që ka humbur më shumë shkëlqimin. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” mbrojtësi i të kuqve, Eneo Bitri, i pranon luhatjet e skuadrës dhe sipas tij, të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë për situatën e krijuar.

Sa i përket repartit defensivë, beratasi pohon se Partizani nuk ka mbrojtje të dobët dhe rezultatet vijnë si grup dhe jo me reparte. Kartonin e kuq që mori në derbin e fundit, ku Partizani nga avantazhi 0-1, e mbylli me humbjen 5-1, Bitri e quan si momentin më të hidhur dhe të errëtin në karrierën e deritanishme.

Sipas tij, “demat” nuk e meritonin atë rezultat përfundimtar. Ndërsa suksesin në derbin e parë të këtij sezoni e ka shijuar më shumë. 23-vjeçari konfirmon interesimin për të nga turqit e Ligës së Parë, por duke qenë nën kontratë me “demat”, të ardhmen ia lë në dorë Partizanit.

Si ia keni kaluar me izolimin dhe sa e vështirë ka qenë për ju si futbollist që të përshtateni me këtë realitet të ri?

Me thënë të drejtën është një periudhë mjaft e vështirë për të gjithë ne që jetojmë me sportin, sepse na mungon fusha, ambienti sportiv. Pra, na mungon gjithçka që ka lidhje me aktivitetin e një sportisti.

Si jeni përgatitur gjatë kësaj periudhe dhe sa mendoni se do ju vlejë kjo ngarkesë që keni marrë në karantinë?

Jemi duke vazhduar programin që na ka dhënë trajneri, duke u stërvitur vazhdimisht “online”. Gjithashtu, jemi munduar kur kemi kohë të lirë që ta shfrytëzojmë duke bërë një program veçmas, me vrapime dhe gjëra që kemi mundësi t’i bëjmë.

Akoma nuk ka një datë se kur mund të rinisë kampionati. Sipas jush, sa kohë ju duhet që të përgatiteni para se të hyni në aktivitet?

Shpresojmë që kampionati të rinisë sa më shpejt që të jetë e mundur. Mendoj se do na duhen më shumë se 2 javë për t’u përgatitur fort në mënyrë që të rikthehemi akoma më të fortë në fushë.

Partizani ka shfaqur shumë luhatje duke mos pasur ngjashmëri me sezonin e titullit, ku kemi pasur edhe ndryshime në bankinë. Çfarë ka ndikuar në këtë ecuri?

Po, është e vërtetë. Kemi pasur luhatje në rezultat dhe gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç ne mendonim. Duhet t’i marrim të gjithë përgjegjësitë tona për këtë situatë të krijuar.

Gjatë ditëve të fundit ka pasur zëra për një interesim nga Menemenspor në Turqi për ju. Mund të na sqaroni si është e vërteta dhe çfarë planesh keni për të ardhmen?

Po, është e vërtetë, kam pasur kontakte nga klubi i Menemensporit, por ia kam lënë gjithçka në dorë klubit. Jam akoma nën kontratë me Partizanin. Sa i përket të ardhmes mendoj se ndihem shumë mirë këtu te Partizani. Po doli diçka për jashtë vendit, e mirëpres, por siç thashë, janë drejtuesit e klubit që vendosin për të ardhmen time.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat