Spikasin duelet Skënderbeu-Laçi dhe Teuta-Kastrioti!

Futboll

Spikasin duelet Skënderbeu-Laçi dhe Teuta-Kastrioti!

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 11:14
Spikasin duelet Skënderbeu-Laçi dhe Teuta-Kastrioti!

Java e 6-të e Kategorisë Superiore nisi me “kryefjalën” e këtij raundi derbin e kryeqytetit Tirana-Partizani që në Air Albania u mbyll në barazim pa gola, por e shtuna do të sjellë 4 ndeshjet e tjera të kësaj jave të cilat të gjithë sportdashësit do të kenë mundësi t’i ndjekin në ekranin e Supersport.

Dy takime do të luhen në orën 13:45 dhe do të jenë  Vllaznia-Bylis në Loro Boriçi dhe Skënderbeu-Laçi në Korçë. Në Shkodër skuadra e Brdaric do të tentojë të rikthehet te fitorja përballë një kundërshtari që ka humbur vetëm një herë në këtë sezon, edhe pse Bylis ende nuk e njeh shijen e fitores. Me një sukses Vllaznia do të ngjitej sërish e vetme në krye dhe ky është objektivi momental i kuqebluve.

Laçi shkon me moralin e lartë në Korçë pas suksesit 6-1 ndaj Apolonisë, ndërkohë që Skënderbeu vjen në këtë ndeshje pas dy humbjeve radhazi dhe përballë kurbinasve duhet të vuajë shumë për të marrë pikë. Në orën 16:45 vëmendjen më të madhe do të marrë sfida mes Teutës dhe Kastriotit dy skuadrave që ende nuk njohin humbje në këtë sezon.

Për “Djemtë e Detit” objektivi i vetëm në këtë sfidë është marrja e tre pikëve por përballë krutanëve Dejvi Bregu me shokë duhet të tregojnë kujdes ndërkohë që në rast të një rezultati negativ mund të vihej në pikëpyetje e ardhmja e trajnerit Edi Martini në stolin e Teutës. 

Kukësi ndërkohë pret Apoloninë në Elbasan Arena dhe do të kërkojë fitoren e tretë radhazi në kampionat. Mbetet për t’u parë nëse trajneri Skënder Gega do të ulet në stol në këtë sfidë, apo edhe njëherë tjetër Kukësi do të drejtohet nga Rrahman Hallaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat