“Mori shumë sekrete me vete”; vëllai rrëfen telefonatën e fundit me Maradonën

Futboll

“Mori shumë sekrete me vete”; vëllai rrëfen telefonatën e fundit me Maradonën

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 16:22
Diego, Hugo Maradona

Hugo Maradona, vëllai i “Pibe de Oro”, i cili u nda nga jeta më 25 nëntor për shkak të arrestit kardiak, tregon bisedën e fundit me legjendën argjentinase, tri ditë para lajmit të kobshëm: “Ai më pyeti se si isha, nëse kisha nevojë për ndonjë gjë. Më mbajti zgjuar për gati gjysmë ore për t’i treguar ndeshjet e futbollit që nuk kishte qenë në gjendje t’i shihte. Më tha se i mungonte futbolli dhe se, pasi të merrte veten, për disa ditë do t’i kthehej jetës normale. E pyeta kur do të kthehej në Itali dhe ai më tha: të shohim, mbase për Krishtlindje”.

A kishte kuptuar Hugo gjatë bisedës se diçka nuk shkonte me shëndetin e tij? “Ai ishte i qetë. Nëse Diego do të kishte vuajtur atë natë, do të kishte bërë gjithçka për të mos më lënë ta kuptoja, – shpjegon vëllai i Maradonës për “Corriere della Sera”. – Ai i tillë ishte, nuk donte të shqetësonte njeri. Jemi shtatë vëllezër dhe motra, na merrte të gjithëve në telefon, por nuk fliste për problemet e tij. Ai kurrë nuk e bëri. Kjo është arsyeja pse unë them, me dhimbje të madhe, se të vërtetën e javëve të fundit të jetës së tij vetëm ai e dinte”.

Në lidhje me hetimet e nisura për të sqaruar vdekjen e vëllait të tij, Hugo komentoi: “Unë nuk kam asnjë ide, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme kam tendencë të mos e kem. Nëse nuk është vdekje natyrore, do të shkaktojë më shumë dhimbje. Unë kam besim tek drejtësia, nëse ka një fajtor, ai do të duhet të paguajë. Vëllai im nuk e meritonte vdekjen. Ai i ndihmoi të gjithë, kurrë nuk kërkoi asgjë në këmbim dhe shumë e shfrytëzuan. Ai sigurisht bëri gabime, pa u fshehur kurrë. Pagoi një çmim shumë të lartë për këtë, duke u përballur i vetëm, çdo herë”.

Hugo mohoi që Diego të jetë braktisur nga familja: “Ne jemi shumë të bashkuar, në emër të vlerave që prindërit tanë na përcollën. Kështu ishte Diego: ai vendoste kur dhe si ta kalonte kohën me të dashurit e tij. Gjithmonë na telefononte dhe, nëse ishte i sëmurë, pretendonte se ishte mirë. Nuk shpreh gjykime për miq, mjekë apo avokatë të ndryshëm. Diego ka marrë shumë sekrete me vete”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat