Hasani: Nëse Spanja refuzon Kosovën, Shqipëria mbetet opsion

Futboll

Hasani: Nëse Spanja refuzon Kosovën, Shqipëria mbetet opsion

Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 10:44
Besim Hasani

Në fillim të kësaj jave në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti për kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katar 2022”. Kosova u vendos ne Grupin B dhe do të ballafaqohet me skuadra të fuqishme si Spanja, Suedia, Greqia dhe Gjeorgjia.

Menjëherë pas këtij shorti, mediat spanjolle reaguan në lidhje me faktin se si do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Spanjës, kur dihet se kjo e fundit nuk e ka njohur ende shtetësinë e Kosovës.

Skenarë të ndryshëm janë parashtruar në lidhje me këtë çështje. Njëri prej tyre është që kjo ndeshje të zhvillohet në një teren neutral, kurse skenari tjetër parasheh që Kosova të paraqitet përball Spanjës pa himn dhe pa simbolet tjera shtetërore.

Në lidhje me këtë çështje, në një intervistë për kp, ka folur Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, i cili ka thënë se ky institucion është i anëtarësuar më të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, e po ashtu edhe në UEFA dhe FIFA dhe se në saje të këtyre fakteve ai është i bindur se të gjitha këto kombëtare do të vijnë dhe do të luajnë në Kosovë.

Hasani: Jam optimist së të gjitha këto shtete do të vijnë për të luajtur në Kosovë

“Komiteti Olimpik i Kosovës është i njohur në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar më të drejta të plota dhe të gjitha federatat sportive janë të njohura nga federatat përkatëse ndërkombëtare që nënkupton që ne jemi të barabartë sikurse edhe të gjithë anëtarët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar por edhe federatave ndërkombëtare, në këtë rast edhe UEFA-së dhe FIFA-së. Dhe absolutisht kemi të drejtë të trajtohemi të barabartë sa i përket pjesëmarrjes, udhëtimit, vizave, por edhe simboleve që i ka një shtet, flamuri, himni dhe kështu me radhë.... Kështu që në këtë drejtim, jam optimist që ky pluhur i ngritur lartë do të bie gradualisht poshtë dhe do të vijnë të gjitha këto kombëtare për të luajtur këtu në Kosovë dhe në do të udhëtojmë dhe të zhvillohen lojërat dhe në vende të tjera, përndryshe, siç e thash pasojat munden me qenë shumë të mëdha për këto shtete, respektivisht për këto federata.”, tha Hasani.

Hasani më tutje, ka shtuar se ideja që ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Spanjës të zhvillohet në Shqipëri, si një teren neutral, është një variant më i pranueshëm por që institucionet e Kosovës duhet të insistojnë që kjo përballje të zhvillohet ne Kosovë.

Hasani: Zhvillimi i kësaj ndeshje në Shqipëri duket variant më i pranueshëm

“Kosova duhet të insistojë që garat të mbahen në vendin tonë, në Kosovë, jo në ndonjë vend tjetër, qoftë edhe në Shqipëri, që do të ishte ndoshta një variant më i pranueshëm, mirëpo kjo duhet të insistohet në institucionet më të larta, mos të lëshohet pe. Këto janë njëherë vetëm skenarë të mundshëm por unë besoj që edhe ne si Komitet Olimpik por edhe Federata e Futbollit në bashkëpunim edhe me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar edhe me UEFA-në dhe FIFA-në që mos të lëshohet pe në këtë drejtim por të insistohet deri në fund që garat të mbahen në Kosovë dhe ne të shkojmë të luajmë në këto vende nikoqire.”, shtoi më tutje Hasani.

Në fund, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës gjithashtu zbuloi se po planifikohet në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës që të fillohet me lejimin e tifozëve në stadiume.

Hasani: Do të insistojmë që në këto ndeshje të kemi tifozë në stadium

“Po, do të kërkojmë, do të apelojmë, do të insistojmë që të ketë shikues, nëse jo qind për qind me kapacitete të mbushura, atëherë më ndonjë përqindje të logjikshme, gjithmonë duke pasur parasysh se ne duhet ta ruajmë shëndetin qytetarëve tonë, në këtë rast shikuesve.”, përfundoi ai.

Kosova do t’i fillojë ndeshjet kualifikuese për në Kampionatin Botëror 2022 kundër Suedisë dhe Spanjës më 28 dhe 31 mars 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat