Igli Tare flet për Cikalleshin: Gjynah, nuk e meriton të jetë aty ku është

Futboll

Igli Tare flet për Cikalleshin: Gjynah, nuk e meriton të jetë aty ku është

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 10:09
Sokol Cikalleshi, Igli Tare

Ish-Futbollisti i Kombëtares shqiptare, tashmë drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, ka qenë i ftuar special i moderatores Arjola Shehu në rubrikën e saj “Special Edition By Arjola” në emisionin “Ditë e Re” .

Si një nga personat e parë shqiptarë që ka veshur fanellën e Lacios, Igli ka lënë gjurmë me talentin dhe pasionin e tij për futbollin kudo ku është bërë protagonist. 

Ndonëse prej shumë vitesh është larguar nga Shqipëria Igli asnjë moment nuk lë pa i kushtuar vëmendje dhe Kombëtares Shqiptare. Të shumtë janë ata futbollistë shqiptarë të cilët ai i ka marrë afër vetes ku gjatë intervistës theksoi se kundrejt tyre është më kërkues se me lojtarët e tjerë.

Siç e ka theksuar dhe disa vite më parë një ndër futbollistët më të mirë të Kombëtares Shqiptare për syrin kritik të Iglit, është Sokol Cikalleshi. Vite më vonë ai vazhdon me të njëjtin mendim duke theksuar se Cikalleshi ka një potencial dhe karakteristika për tu vlerësuar dhe është gjynah që po humb karrierën e tij në një kampionat si ai turk.

“Doja të thoja një shprehje të bukur që ka lidhje me pyetjen që më bëre. ‘Topi është për të gjithë, por futbolli për pak njerëz’. Me këtë shprehje nënkuptohen shumë gjëra. Unë e kam thënë e para disa vitesh  lojtari që më intrigon më tepër është Sokol  Cikalleshi.

Është një lojtar që ka karakteristika shumë të mira si futbollist, por për këto karakteristika që ka, ka punuar shumë pak në jetën e tij dhe është gjynah që ta humbasësh karrierën tënde në një kampionat si ai turk. Me gjithë respektin që kam për kampionatin turk, por ai lojtar duhet të kishte bërë shumë më tepër në karrierën e tij sepse për llojin e tij është një lojtar i cili është shumë i domosdoshëm për Kombëtaren Shqiptare”– tregon Igli.

Kujtojmë që sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Sokol Cikalleshi  ka nënshkruar një kontratë dy vjeçare me Konyaspor, ekipin turk.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat