Kukësi gjyq në KAS për 55 mijë euro

Futboll

Kukësi gjyq në KAS për 55 mijë euro

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 12:15
Kukësi gjyq në KAS për 55 mijë euro

Filip Zderiç la pak gjurmë te Kukësi në peri udhën kur skuadra verilindore drejtohej nga Peter Pakult (janar-gusht 2018). Mbrojtësi i djathtë kroat u bë më tepër i famshëm në verën e këtij viti, pasi fitoi gjyqin me Kukësin dhe FIFA u bllokoi merkaton verilindorëve për një shumë prej 55 mijë eurosh që nuk ia kishte shlyer në kohë 29-vjeçarit.

“Është e vërtetë që në klub ka ardhur një vendim i tillë, mirëpo ky vendim është i pakuptimtë dhe klubi ka marrë masat e nevojshme për ta çuar çështjen deri në fund. Ky vendim tashmë është në KAS dhe është pikërisht kjo gjykatë, ajo që do të thotë fjalën e fundit.

Klubi ju siguron se nga kjo çështje do të dalim të fituar, sepse nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo çka pretendon futbollisti në fjalë. Mbrojtësit i është komunikuar që të bashkohet me grupin në grumbullim, mirëpo futbollisti ka refuzuar dhe për pasojë klubi e ka dënuar duke e dërguar të stërvitet me Kukësin B (aktiv asokohe).

Futbollisti nuk e ka marrë parasysh këtë dënim të klubit, duke u larguar nga Shqipëria e duke shkelur kontratën dhe njëkohësisht duke bërë një denoncim me pretendimin se nuk është paguar. Klubi ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në KAS dhe tashmë jemi në pritje të vendimit për të fituar gjyqin”, ishte reagimi i klubit për çështjen “Zderiç” përmes një komunikate të bërë në datën 13 korrik 2020.

ÇFARË KA NDODHUR?

Por çfarë ka ndodhur nga muaji gusht deri në dhjetor dhe si ka përvijuar çështja që për pak bllokoi transferimet e Kukësit, duke rrezikuar që skuadra verilindore të kishte fatin e Partizanit me ndalim të merkato për tri sesione?

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se seanca dëgjimore në KAS është zhvilluar më 10 dhjetor dhe klubi verilindor pret tashmë një vendim përfundimtar brenda vitit ose maksimumi në 15 ditët e para të janarit 2021.

REAGON JURISTI

Gazeta kontaktoi dje posaçërisht me juristin e klubit të Kukësit, Arsen Selmanaj. Ky i fundit konfirmoi lajmin dhe gjithashtu dha detaje të seancës dëgjimore.

“Çështja është apeluar në KAS. Në datën 10.12.2020 u mbajt seanca me videokonferencë, ku u dëgjuan dëshmitarët nga gjyqtari i KAS-it në Lozanë. U deklarua se lojtari ka pranuar vetë të zgjidhet kontrata e vërtetuar, kjo me një marrëveshje të nënshkruar nga vetë palët.

Një marrëveshje, e cila në fakt u kundërshtua nga lojtari, por që pas kryerjes së ekspertizës doli se ajo është nënshkruar nga vetë ai. Në këtë mënyrë ne pretendojmë të rrëzojmë vendimin e FIFA-s për dëmshpërblim të Zderiçit. Vendimi pritet të merret për rreth 10 ditë nga Gjykata e KAS. Jemi shpresëplotë që KAS do të vendosë në mënyrë objektive dhe bazuar në provat e dorëzuara në dosje. Kjo është e gjitha”, ka sqaruar shefi i zyrës juridike të Kukësit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat