Bezhani akuza Bellos: Ja si i ‘rruan’ lekët e sportistëve KOKSH-i

Futboll

Bezhani akuza Bellos: Ja si i ‘rruan’ lekët e sportistëve KOKSH-i

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 19:22
Bezhani akuza Bellos: Ja si i ‘rruan’ lekët e sportistëve KOKSH-i

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka përfunduar në qendër të vëmendjes për skandalet që prej kohësh ka prodhuar. Siç dihet, përplasjet mes presidentit Viron Bezhani dhe sekretarit Stavri Bello kanë përfunduar deri në prokurori, me Bezhanin që akuzon sekretariatin për vjedhje dhe abuzime të shumta.

Gazeta "Panorama sport" së fundmi ka siguruar një faturë banke, në të cilën pasqyrohet një pagesë e bërë nga KOKSH për një prej anëtarëve të administratës (z.Kliton Muça).

Nga arkat e KOKSH kanë dalë rreth 3 mijë dollarë, të cilët janë derdhur në Universitetin e Sportit “Vasil Levski” në Bullgari. Këtë gjë e konfirmon edhe kreu i KOKSH-it, Viron Bezhani, i cili e quan si abuzimin e radhës që sekretariati ka bërë me të ardhurat e Komitetit Olimpik. Bezhani thotë së kurrsesi KOKSH nuk duhet të paguajë mastera apo specializime private, pasi këta lekë duhet të shkojnë për sportistët.

Ja reagimi i plotë i kreut të KOKSH në lidhje me këtë çështje:
“Grupi Bello ka vendosur që t’u shërbejë interesave të ngushta të njëritjetrit dhe jo sportit. Të paguash një master privat për një person të administratës së KOKSH nuk është aspak e drejtë, por këta janë njerëzit në Komitetin Olimpik dhe unë s’kam çfarë të bëj.

Edhe gjatë mbledhjes unë e kundërshtova një veprim të tillë, ndërsa më i rëndë akoma është fakti se po ky inspektor merr fonde për punë jashtë orarit, merr pagë dhe të ardhura nga shumë fusha në KOKSH, kur vetë Solidariteti Olimpik thotë qartë se mund të marrësh lekë vetëm në një drejtim, ndërsa ky njeri përfiton shpërblime nga të gjitha anët, lekë të cilët normalisht duhet të shkojnë për sportistët.

Faksimile e faturës së paguar nga KOKSH

Aq më tepër në një kohë si kjo, kur në të gjitha komunikimet që kam pasur me presidentin e CIO-s, Tomas Bah, na është rekomanduar që t’i reduktojmë në maksimum shpenzimet për administratën.

Ajo që është më e turpshme ka të bëjë me faktin se deri dje na thoshin që nuk kemi para për sportistët në Lojërat Olimpike, duke refuzuar t’u jepnin 30 euro që është një krim. Për këtë gjë normalisht kam përgjegjësi edhe unë, por më thoshin që nuk kemi lekë.

Unë kam shumë kohë që deklaroj se në Komitetin Olimpik shpërdorohen lekët. Paratë nuk shkonin në destinacionin e duhur, pra te sportistët, por i gllabëronte administrata. Ju e keni vënë re që kohët e fundit KOKSH ka bërë gjithë këto shpenzime për sportistët dhe imagjinoni sikur këto shpenzime e investime të ishin bërë prej kohësh sa hov cilësor do të merrte sporti.

Sekretari deklaronte që buxheti gjithsej ishte vetëm 100 mijë dollarë, ndërsa në kohët e fundit po shpërndajmë deri në 200 mijë dollarë vetëm për sportistët”, përfundon deklaratën e tij Viron Bezhani. Ndërkohë gazeta ka tentuar në disa raste të kontaktojë sekretarin e përgjithshëm, Stavri Bello, për akuzat e bëra ndaj tij, por ai nuk ka pranuar të flasë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat