Gabuan

Futboll

Gabuan

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 12:07
Pirlo

Juventus e mbylli 2020-ënme një humbje 0-3 në shtëpi ndaj Fiorentinës, që vulosi kështu një vit të vështirë për bardhezinjtë, por edhe një ditë mjaft të keqe si brenda ashtu edhe jashtë fushës së lojës.

Kështu gjithçka nisi pasdite me vendimin e Kolegjit të Garancive të Sportit, që hodhi poshtë fitoren 3-0 në tavolinë ndaj Napolit dhe vendosi zhvillimin e ndeshjes në fushë, ndërsa më pas u konkretizua me humbjen ndaj Fiorentinës.

Sfida u komplikua që në fillim për bardhezinjtë, me Vlahoviç që fitoi duelin me dyshen Bonucci-De Ligt dhe shënoi që në minutën e tretë, ndërsa në të 18-ën ishte Cuadrado qē mori karton të kuq dhe la skuadrën me 10 futbollistë pas një faulli të rëndë dhe të panevojshëm në zonën kundërshtare.

Trajneri Andrea Pirlo nuk e fshehu zhgënjimin për humbjen dhe pranoi se të tijtë e nisën shumë keq ndeshjen, duke gabuar thuajse gjithçka në minutat e para të saj.

“E nisëm shumë keq ndeshjen, duke gabuar edhe pasimet më të thjeshta, ndërsa episodet nuk i patëm në favor, pasi për 20 minuta ishim në disavantazh dhe me një lojtar më pak. Kur e nis ndeshjen kështu, është e vështirë të flasësh për detaje taktike, megjithatë unë porositë i kisha dhënë, por në fushë shkojnë futbollistët”, u shpreh Pirlo.

Tekniku bardhezi u ndal edhe te episodet e dyshimta, me Juventusin që pretendoi në dy momente për penallti, ndërsa shtoi se pret përforcime në merkaton e muajit janar.

“Skuadra reagoi mirë, ndonëse me 10 futbollistë dhe po të na ishte dhënë një penallti, gjithçka mund të kishte ndryshuar. Nuk dua të merrem me arbitrimin, pasi të gjithë e patë vetë. Tani do të pushojmë disa ditë dhe do të rikthehemi me mendje të kthjellët për të diskutuar edhe për përmirësimet e mundshme në merkato”, tha trajneri i Juves.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat