Sadiku harron portën

Futboll

Sadiku harron portën

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 19:07
Sadiku harron portën

Armando Sadiku ka harruar që të shënojë dhe tundja e rrjetës i është kthyer në një makth më vete. Që nga koha e largimit nga Malaga dhe transferimit te Erzurumspori nuk është shënuar asnjë gol i vetëm, pavarësisht se përballë ka pasur edhe rival tërësisht modest në Kupën e Turqisë.

Por çfarë po ndodh me Sadikun? Në ditën e sotme sulmuesi shqiptar luajti nga minuta e parë përballë Denlizsporit në humbjen 1-2, por nuk bindi dhe do të ngelte në dhomat e zhveshjes, për të mos hyrë sërish në pjesën e dytë.

Ambienti në ekipin e elitës turke nuk është aspak ndihmues për Sadikun. Sulmuesi ka parë tre trajnerë të ndryshëm në vetëm pesë javë të kampionatit dhe kjo mund të përbëjë një rekord më vete në Europë.

Mehmet Ozdilek do të niste kampionatin në krye të Ezurmsporit dhe do të largohej në javën e nëntë, për t’i lënë vendin Huseyin Cimsir.

Ky i fundit rezistoi vetëm 20 ditë në krye të pankinë dhe pas vetëm katër javësh në kampionat do të largohej nga skuadra për shkak të mendimeve të ndryshme që kishte me kryesinë e klubit.

E ndërkohë ndeshjen e sotme e drejtoi ndihmësi i Cimsir, Senol Fidan, që është përkohësisht në krye të ekipit deri në emërimin e një trajneri tjetër. Pra nga java e nëntë e kampionatit dhe deri në javën e katërmbëdhjetë, Sadiku sheh tre trajnerë të ndryshëm që drejtojnë skuadrën dhe një i ri mbetet për t’u zyrtarizuar..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat