Skënderbeu dhe Tirana, provat e vërteta për Vllazninë!

Futboll

Skënderbeu dhe Tirana, provat e vërteta për Vllazninë!

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 18:36
Skënderbeu dhe Tirana, provat e vërteta për Vllazninë!

Vllaznia u kthye shpejt në rrugën e fitoreve dhe klubi shkodran përfitoi edhe nga barazimi i Kukësit në duelin me Tiranën, për t’u shkëputur akoma më shumë në tabelën e renditjes.

Krejt ndryshe nga c’tregon rezultati ndaj Apolonisë kuqeblutë ishin në kontroll të vazhdueshëm të takimit dhe e vetmja e metë lidhet pikërisht me faktin që ekipi i drejtuar nga trajneri gjerman Thomas Brdaric duhej ta kishte mbyllur më shpejt historinë e kësaj ndeshje, duke shënuar edhe golin e sigurisë. Dicka që natyrisht nuk i ka pëlqyer as vetë 45-vjeçarit me origjinë kroate, por sigurisht është shumë e vështirë që të kritikohet një ekip që përfaqëson sulmin më të mirë të kampionatit shqiptar.

Objektivi kryesor në këtë sfidë ishin 3 pikët, ndaj një skuadre si Apolonia, që ndonëse mbyll klasifikimin e përgjithshëm të Kategorisë Superiore përsëri po bën çmos për t’u ngritur dhe për t’i dhënë fund ecurisë negative. Një sukses i merituar dhe një fitore tepër e rëndësishme për ekipin shkodran, pas disfatës së hidhur që pësoi në Laç, fundjavën e kaluar dhe golit të marrë pikërisht në fund nga Redon Xhixha. Kjo është fitorja e tretë larg Stadiumit Loro Borici dhe më mirë se ekipi shkodran jashtë fushe ka bërë vetëm skuadra e Teutës.

Gjërat kanë ndryshuar në mënyrë rrënjësore, mjafton të kujtohet fakti që në fillimin e muajit gusht Vllaznia e drejtuar nga Hysen Dedja përballej me Besëlidhjen në një duel play out-i, ndërsa tani kjo skuadër kryeson bindshëm kampionatin. Edhe edicionin e kaluar kuqeblutë e nisën mirë sezonin, duke grumbulluar 15 pikë në 10 javët e para, megjithatë këtë herë Vllaznia është ngritur në një tjetër nivel, duke ka fituar 70% të ndeshjeve dhe realizuar 15 gola gjithsej, pra katër gola më tepër, krahasuar me të njëjtën periudhë kohe të vitit të shkuar.

Nëse edicionin e kaluar Vllaznia dështoi për të shënuar në 5 nga 10 sfidat e para, këtë radhë ekipi shkodran nuk i ka shënuar vetëm Teutës në Durrës dhe Lacit në Kurbin. Ndryshimi në lojë është i dukshëm dhe ekipi shkodran tani zbret në fushë plot personalitet dhe me shumë karakter.

Në Stadiumin Loni Papuçiu bardhjeshilët e nisën më mirë takimin, sidoqoftë miqtë u treguan tepër të duruar dhe pritën të bjerë vrulli i skuadrës fierake, për të dalë në lojën e tyre.

Natyrisht me gjithë respektin, Apolonia përfaqëson një ndër skuadrat më të dobëta të këtij edicioni në Kategorinë Superiore dhe askush nuk do të habitej nëse klubi fierak do të kthehej menjëherë andej nga erdhi, por gjithsesi bën përshtypje mënyra e rreshtimit në fushë, reagimi, sjellja apo dhe besimi që ka fituar ekipi shkodran në fushën e lojës. Vendasit kishin nevojë patjetër për pikë dhe për hir të së vërtetës bardhjeshilët zhvilluan një ndeshje të mirë, por ekipi i Vllaznisë në krahun tjetër e interpretoi në mënyrën e duhur takimin dhe goli i sigurisë mungoi thjesht për cështje fati apo për shkak të pritjeve të vazhdueshme të portierit Romeo Harizaj.

Në krahun tjetër portieri Bojan Zogovic u testua vetëm nga Serjan Repaj, fillimisht me një gjuajtje fluturimthi dhe më vonë pas një devijimi me kokë. Sa për pjesën e mbetur ekipi shkodran u duk vazhdimisht në kontroll të plotë të ndeshjes, duke luajtur shpejt dhe bukur nga krahët me zbritje efikase, që shpeshherë mbylleshin me raste për shënim. Influencoi padyshim dita jo e mirë e 30-vjecarit boshnjak Haris Dilaver, pasi fitorja mund dhe duhej të kishte marrë përmasa të tjera.

Pa dashur për të hequr paralele mes fillimit të sezonit të mëparshëm dhe edicionit aktual ky ekip luan ndryshe. Skuadra zbret në fushë me një koncept tjetër, me një përgatitje të mirë fizike dhe plot grintë, duke patur qëndrueshmëri në rezultate por mbi të gjitha edhe vazhdimësi. Faza e parë ishte vërtet shumë e mirë dhe duhet konsideruar si e tillë nga drejtuesit e klubit.

45-vjeçari po përshtatet me shpejtësi dhe është duke kuptuar gjithmonë e më shumë mentalitetin e futbollit shqiptar. Dora e trajnerit Thomas Brdaric apo dhe stafit drejtues ndihet, madje shumë dhe tekniku me origjinë kroate duket se ka bërë një punë të shkëlqyer për ta mbajtur me këmbë në tokë ekipin, megjithëse nga cfarë shihet nga paraqitjet në fushën e lojës ai është i ndërgjegjshëm për forcën e vërtetë të këtij grupi dhe ka injektuar goxha besim te kontigjenti i lojtarëve që ka në dispozicion.

Të dielën e ardhshme Vllaznia do të presë në Stadiumin Loro Borici ekipin e Skënderbeut, të cilin shtatë javë më herët e mposhti 2-0 brenda në Qytetin e Korcës.

Një mundësi shumë e mirë për të përfituar nga problemet e mëdha të bardhekuqve, për të konsoliduar pozitat në kreun e tabelës, ndërkohë në horizont shfaqet gjithashtu edhe derbi i Shqipërisë me Tiranën, në kryeqytet, për ta mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2020 dhe marrë edhe përgjigjet përfundimtare apo konfirmimin për progresin e qartë të klubit shkodran.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat