Zaniolo drithëron me rrëfimin

Futboll

Zaniolo drithëron me rrëfimin

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 11:53
Zaniolo drithëron me rrëfimin

Dy dëmtime të rënda brenda pak muajsh.

2020-ta që po mbaron ishte një vit makthi për Nicolo Zaniolo, i detyruar të fillojë nga e para për herë të pestë në një provë vullneti të çeliktë, që për një djalë vetëm 21 vjeç nuk merret kurrë si e mirëqenë.

Xhevahiri i Romës ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”. Ai nuk ka ndjenja të këqija ndaj Interit, klubit që më 2018 e shiti te verdhekuqtë si pjesë e transferimit të Nainggolan në Milano:

“Unë mendoj se Interi gjithmonë ka nevojë për lojtarë të gatshëm, të trajnuar tashmë dhe mbase në atë moment unë nuk isha i tillë. Ata bënë zgjedhjen e tyre, i falënderoj, sepse atëherë, duke më shitur te Roma, më dërguan në një qytet të shkëlqyeshëm si ky dhe në një klub të fortë. Të luash këtu është e mrekullueshme, për tifozët, për qytetin. Jam i kënaqur që jam te Roma”.

Debutimi në Ligën e Kampionëve, në një skenar jo të parëndësishëm, në “Santiago Bernabeu”, talenti italian e kujton kështu: “Di Francesco më thirri në 11 të mëngjesit dhe më tha: A je gati të luash sonte? Dhe unë iu përgjigja: Po. Në fakt ishte një “po” pa ndjenja. Pasi e thashë, fillova të dridhem. U ngjita në dhomën time dhe deri në orën 7:45 pasdite, ora e nisjes së autobusit, nuk fjeta fare, nuk pushova”.

Ndër gëzimet më të mëdha të karrierës së shkurtër të Zaniolo deri më sot është lajmi i thirrjes së parë në ekipin kombëtar. Aq e papritur ishte sa, në shikim të parë, dukej se kishte një gabim: “Unë isha në shtëpi, në La Spezia, sepse na kishin dhënë disa ditë pushimi te Roma. Po rrija në dhomën time, hap “Sky”, shkoj te kanali 200 dhe shoh skuadrën e Mancini. Emri im ishte shkruar gjithashtu në të, thuhej Zaniolo. Mendova: Si është e mundur kjo? Sigurisht që kanë bërë një gabim, sepse unë jam nën 21 ose nën 20 vjeç. Pas njëzet minutash kam marrë një telefonatë nga menaxheri i ekipit kombëtar, i cili më thotë: Nicolò, unë doja të të përgëzoja. Të hënën në “Coverciano”. Thirra prindërit e mi dhe shpërtheva në lot”.

Kthimi në fushë është planifikuar për në pranverën e ardhshme, në kohën e duhur për të marrë pjesë në Kampionatin Europian, planifikuar të zhvillohet midis qershorit dhe korrikut.

Ndërkohë, Zaniolo, me fillimin e vitit të ri do të kthehet në “Trigoria”: “Unë nuk jam me nxitim, po punoj mirë. Çdo ditë shkoj në ‘Trigoria’, pas vizitës së fundit në Innsbruck. Ngarkesa tani do të rritet dhe kur këmba e djathtë dhe e majtë të kenë të njëjtën forcë, edhe koka ime të jetë gati, do të kthehem me qetësi. Kam një karrierë përpara, nuk duhet të kapem pas dëshirës për të luajtur 2-3 ndeshje. Karriera është në lojë, e ardhmja. Kur do të kthehem? Pak a shumë në prilli. Në kohë për Kampionatin Europian”.

Një lamtumirë nga Roma absolutisht nuk figuron midis planeve të Zaniolo: “Jam mirë në Romë, në një ekip të shkëlqyeshëm, në një klub të rëndësishëm. Jam mirë, jam i dashur për tifozët, edhe unë i dua ata. Klubi më mbështet dhe nuk mendoj për ndryshimin e ajrit. Nuk do të kishte asnjë arsye”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat