Vllaznia pritet të jetë mjaft aktive

Futboll

Vllaznia pritet të jetë mjaft aktive

Më: 3 janar 2021 Në ora: 18:34
Vllaznia pritet të jetë mjaft aktive

Pasi mbylli vitin në vendin e parë dhe me një paraqitje mbresëlënëse, Vllaznia pritet të jetë mjaft aktive edhe në merkaton e janarit, ku pritet të largohen disa futbollistë, të cilët nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit Brdariç ose kanë luajtur pak këtë periudhë.

Kështu sulmuesi moldav Eugenio Sidorenco është larguar nga Shkodra, pasi i përfundoi kontrata më 31 dhjetor dhe drejtuesit e klubit kuqeblu nuk preferuan t’i rinovojnë bashkëpunimin, ndërsa edhe mbrojtësi Elmir Lekaj është lënë i lirë për t’u bashkuar me Arbërinë në Superligën e Kosovës, ku pritet të luajë rregullisht.

Shkodranët janë pranë prishjes së marrëveshjes edhe me sulmuesin gjerman Kristofer Mandiangu, i cili erdhi me bujë, por ka qenë vazhdimisht i dëmtuar dhe ka zbritur në fushë shumë pak minuta.

Dy futbollistë të tjerë që janë të pakënaqur me aktivizimin e paktë, janë mbrojtësi Enes Isufi dhe mesfushori Behar Ramadani, të cilët që të dy kanë oferta nga klube korovare dhe pritet të largohen nga Vllaznia gjatë muajit janar.

Ndërkohë trajneri gjerman Thomas Brdariç u ka kërkuar drejtuesve që të plotësojnë organikën me futbollistë të tjerë dhe deri tani i sigurt është afrimi i mbrojtësit anësor Abdurrahman Fangaj, i cili ka nënshkruar parakontratë dhe stërvitet prej ditësh me kuqeblutë, por edhe i sulmuesit Elvir Maloki, i cili është rritur në klubin e Rijekës.

Megjithatë drejtuesi i klubit shkodran, Matko Djarmati dhe sponsori Alban Xhaferri po punojnē për afrimin e një sulmuesi me peshë, që të konkretizojë me gola, rastet e shumta që krijon skuadra e Brdariç në fushë dhe të një mesfushori që do të përmirësonte cilësinë e ekipit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat