Duro: Kukësit t’i vijë keq që më largoi

Futboll

Duro: Kukësit t’i vijë keq që më largoi

Më: 9 janar 2021 Në ora: 16:48
Duro: Kukësit t’i vijë keq që më largoi

Laçi vijon të bëjë mirë nën drejtimin e Shpëtim Duros, pasi në 6 javë numëron 4 fitore, një barazim dhe një humbje. Sot kurbinasit triumfuan me rezultatin 3-2 ndaj Kukësit, ndërsa trajneri Shpëtim Duro u shfaq mjaft i kënaqur me ndeshjen që bënë të tijtë.

Ai ishte edhe një lloj hakmarrjeje kjo ndaj Kukësit për shkarkimin sezonin e kaluar?
Te Kukësi kam shumë miq dhe nuk kam probleme, pasi më kanë respektuar dhe më kanë takuar para takimit. Ishim në vend të dytë, duhet t’ju vijë keq atyre, për mënyrën si u largova, jo mua. Isha brenda objektivave, ishin 40 pikë në lojë, isha në gjysmëfinalen e Kupës. Nuk ka lidhje kjo fitore me situatën, pasi unë jam trajner profesionist, jam trajner i Laçit dhe jam përqendruar totalisht te kjo skuadër.

Bëtë një pjesë të parë shumë të mirë, por lëshuat shumë në të dytën…
Unë jam i kënaqur, për arsye sepse gjatë gjithë ndeshjes, Kukësi nuk na ka rrezikuar. Dy golat erdhën si rezultati i 11-metërshva, megjithatë rezultati 3-0 ta kërkon tërheqjen logjikisht. Aty përfundoi ndeshja, ndonëse më erdhi keq që Harmon nuk shënoi golin e katërt. Nuk kisha fare frikë që kjo ndeshje mund të përmbysej, ndonëse mirë do të ishte ta kishim mbyllur. U lamë terren në fund, por Kukësi nuk na ka rrezikuar për asnjë moment, me përjashtim të 11-metërshve.

I dhatë një leksion edhe Hallaçit, që është një nxënës i juaji…
Hallaçin e kam marrë në 2001-shin nga Shkolla e Futbollit të Shkëndijës, te Partizani. E ka të ardhmen përpara, pasi është djalë i ri, njeri shumë pozitiv dhe mbi të gjitha serioz, ndaj them se do të ecë shumë para.

Selmani u duk shumë nervoz dhe mund t’u kishte lënë me 10 futbollistë…
Selmani bëri një ndërhyrje energjike, nuk ishte për të kuq, ka kapur topin. E ndërrova për të mos rrezikuar. Edhe po të ndëshkohem me karton të kuq, ishim 2-0, do ta kishim fituar ndeshjen.

A e ka luksin Laçi të lërë në stol Nwabuezen, goleadorin e sezonit të kaluar?
Unë kam thënë nuk e mendoja të merrja drejtimin e Laçit dhe mos luante Nwabueze. Është meritë e skuadrës që po ecën shumë mirë. Ka luajtur vetëm ndeshjen e parë me Teutën, pati probleme me këmbën. Në datën 6 ka bërë operacion sytë. Të shikojmë si do të jetë situatë në ndeshjet e ardhshme. Ato janë probleme që ka presidenti me Nwabuezen. Në qoftë se ka ndonjë ofertë të mirë, është logjike, unë nuk mund të dalë kundër synimeve të klubit. Nuk ka asgjë konkrete.

Skuadra ka reaguar pozitivisht me ju në stol. Deri ku mund të shkoni me këtë ekip?
Nuk kisha ndërmend në atë situatë ta merrja drejtimin e Laçit, ishte në vendin e 9 a 10. Ishte një situatë e vështirë. Duke patur grupin e Laçit, mendova që mund të përmirësohej situate. Është edhe çështje fanti. Morëm një pikë pozitive në Durrës në debutim. E njoh mirë skuadrën tani, ashtu siç më njeh skuadra për atë që kërkoj. Skuadra ka ekuilibër në të gjitha repartet, por pikët e lëna kanë krijuar problemet e veta. Më ka mbetur merak humbja me Krujën që ishte çështje fati, por futbolli i pranon këto. Rezultatet pozitive, kanë ndryshuar situatën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat