Agjenti i Eriksenit i kërkon Interit pagesën e ndërmjetësimit të transferimit

Futboll

Agjenti i Eriksenit i kërkon Interit pagesën e ndërmjetësimit të transferimit

Më: 9 janar 2021 Në ora: 16:49
Christian Eriksen

Agjenti i Christian Eriksenit, Martinus Schoots i kërkon Interit të përfundojë pagesën për ndërmjetësimin e tij në lëvizjen e danezit nga Tottenham në Inter.

Eriksen u bashkua me Nerazzurrët në një lëvizje prej 20 milionë eurosh nga Tottenham në janar të vitit 2020.

Sipas raporteve të disa mediave italiane, Interi i dha agjentit të lojtarit mandatin për të negociuar me Tottenhamin, duke rënë dakord për një tarifë rreth shtatë milionë eurosh për punën e tij.

Interi raportohet se ka paguar vetëm një milion euro dhe agjenti i lojtarit tani i është drejtuar Kolegjit të Garancisë pranë CONI-t për të marrë pjesën e mbetur.

“Kolegji i Garancisë ka marrë një kërkesë arbitrazhi nga agjenti sportiv Martinus Schoots kundër FC Internazionale Milano SpA, në bazë të një mandat-kontrate, të nënshkruar më 27 janar 2020 me të cilën agjentit të lartpërmendur iu dha mandati për të lejuar realizimin e transferimi i lojtarit Christian Eriksen nga Tottenham Hotspur FC”, thuhet në deklaratën zyrtare të CONI-t.

Eriksen pritet të largohet nga Interi në afatin kalimtar të janarit, por sipas La Gazzetta dello Sport, kërkesa e agjentit po ngadalëson negociatat.

Sipas Calcio e Finanza, Interi ka konfirmuar se ata do të “përmbushin të gjitha detyrimet kontraktuale”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat