Daja: Gabuam gjithçka në 10 minutat e fundit

Futboll

Daja: Gabuam gjithçka në 10 minutat e fundit

Më: 9 janar 2021 Në ora: 19:30
Daja: Gabuam gjithçka në 10 minutat e fundit

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja erdhi më vonë se zakonisht në intervistën për Supersport dhe zgjodhi të mos bëjë polemika për penalltinë, por shprehu rezerva për mënyrën sesi u soll skuadra e tij në fushë, veçanërisht në 10 minutat e fundit.

Dëshironi ta rishikoni rastin e penalltisë?
Jo, nuk dua, pasi nuk kam ndërmend të bëj moviolën pas çdo ndeshjeje. Dua të merrem me mënyrën sesi ne zgjodhëm të ndërtojmë manovrën sulmuese, pasi gabuam shumë dhe nuk sakrifikuam sa duhet. Për më tepër, nuk dua të krijoj alibi te lojtarët e mi, pasi në 10 minutat e fundit gabuam gjithçka.

Çfarë ndodhi në ato 10 minuta?
Ndodh që ndonjëherë ekipi nuk funksionon sa duhet. Ia dolëm të shënojmë golin me Carën, por nuk udhëzuam tërheqjen, thjesht erdhi natyrshëm. Na mungojnë edhe zëvendësimet, për të freskuar skuadrën dhe për të ndryshuar diçka, ndaj erdhëm te ai moment. Kishim mundësi të mbanim topin shumë më tepër në këmbë, për të mos i dhënë mundësi kundërshtarit të na rrezikonte, por nuk e bëmë këtë.

Duket sikur i keni marrë maksimumin këtij grupi lojtarësh. A mendoni se duhet ndërhyrë patjetër në merkato?
Sigurisht që kemi nevojë për të afruar lojtarë, por dihet që muaji janar nuk të ofron shumë alternativa. Na duhet të afrojmë disa lojtarë, ndoshta edhe jo shumë cilësorë, por për të dubluar rolet, pasi edhe sot nuk kishim mundësi të zëvendësojmë lojtarët që na u dëmtuan. Duhet të krijojmë mundësi për të freskuar ekipin pa prishur rolet natyrale, pasi kalendari i ngjeshur dhe rëndimi i terreneve për shkak të motit, do të ndikojnë jo pak.

Jeni i kënaqur me atë që dha Melo sot?
Jam i kënaqur me dëshirën dhe motivimin që shfaqi në fushë, por jo me cilësinë e lojës, pasi presim shumë më tepër nga ai. Nëse do të vazhdojë kështu, jam i sigurt që shpejt do të kthehet në një armë të fortë të kësaj skuadre.

Skuadra gabon shumë në 30 metrat e fundit të sulmit dhe duket sikur u mungon edhe altruizmi…
Nuk mund të flas për mungesë altruizmi, pasi ne nuk arritëm të shkojmë me shumë lojtarë në zonën e golit. Kemi pasur mundësi të bëjmë më mirë, por do t’i shikojmë me kujdes të gjitha episodet, për të ndryshuar në ndeshjet e ardhshme.

Ju pret një muaj shumë i vështirë, pasi keni përballje mjaft të rëndësishme…
Mund të kishim ruajtur diferencën prej 7 pikësh ndaj Vllaznisë, por nuk ia dolëm dhe duhet të shohim përpara. Nuk ka ndeshje të lehta në Superiore dhe e vështirë do të jetë deri në fund, por ne duhet të kompletojmë organikën në merkato dhe të shpresojmë të bëjmë më mirë në fushë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat