Limani: Me Prishtinën? Do të jenë dy sfida të mëdha

Futboll

Limani: Me Prishtinën? Do të jenë dy sfida të mëdha

Nga: Kemajl Goca Më: 12 janar 2021 Në ora: 18:13
Limani: Me Prishtinën? Do të jenë dy sfida të mëdha

Kampioni në fuqi dhe vjeshtor, Drita nga Gjilani, po përgatitet për pjesën e dytë të kampionatit të Superligës së Kosovës në futboll.

Karakteristikë është se, Drita brenda 3 jave dy herë do të takohet me fituesin e Kupës së Kosovës, Prishtinën.

E para, me 23 janar në Antalia, në kuadër të Superkupës së Kosovës dhe e dyta, me 10 shkurt ndeshen për Kupë të Kosovës. 

Image

Mbrojtësi prej më të mirëve në Kosovë, kapiteni i Dritës, Ardian Limani, flet për atmosferën në klub, cila skuadër është konkurrent për titull dhe për sfidat me Prishtinën dhe çfarë iu premton tifozëve “Intelektualëve”.

“Bota sot”: Drita ka filluar përgatitjet, cila është atmosfera?
Ardian Limani:
Atmosfera është shumë e mirë në skuadër. Kjo fazë është e lodhshme, prandaj mundohemi që me atmosferë të mirë ta mbajmë skuadrën ne disponim!

“Bota sot”: Drita është kampione vjeshtore me 41 pikë, a mendoni se kjo epërsi +3 nga Ballkani, është edhe një përparësi, se skuadra juaj do të ketë më lehtë në pranverë?

Ardian Limani: Ne jemi 3 pikë përpara përcjellësit të parë, mirëpo kjo nuk na garanton asgjë sepse dallimi është vetëm një ndeshje. Ne duhet që t’i marrim ndeshjet me radhë dhe me shumë seriozitet që të mos gabojmë gjatë rrugës drejt titullit! Do të jetë e vështirë, por ne kemi kualitetin e duhur!

Image

“Bota sot”: Në fakt, përveç Ballkanit, cilat skuadra i sheh në garë për titull?
Ardian Limani:
Sinqerisht unë e shoh Ballkanin dhe Prishtinën në garë për titull. Nuk dua ta anashkaloj ndonjë skuadër tjetër, mirëpo me atë që kemi treguar deri tani, këto 3 skuadra do ta diskutojnë titullin!

“Bota sot”: A jeni në presion të rivalëve, si bie fjala Gjilani dhe Prishtina?
Ardian Limani:
Ajo që e veçon Dritën si skuadër është përvoja dhe menaxhimi i ndeshjeve dhe presionit. Ne më së miri e bëjmë këtë gjë! Por, gjithsesi skuadrat në fjalë nuk do të na lënë rehat gjatë rrugës!

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë Dritës në vazhdim të kampionatit?
Ardian Limani:
Ne duhet që të kemi më tepër fat, sepse shpeshherë na ka kthyer shpinën! E them këtë sepse shumë ndeshje kemi qenë tepër dominues, por kemi gabuar në disa ndeshje që duhej ti kishim fituar. Gjithashtu edhe për faktin që kemi patur lëndime te shumta. Shpresoj që të mos përsëriten këtë vit!

“Bota sot”: Një short interesant për Kupën e Kosovës apo një finale para finales me Prishtinën, si e sheh sfidën mes dy ekipeve më të mira, kush më i fortë?

Ardian Limani: Në fakt, ne së pari po e mendojmë Superkupën që do ta zhvillojmë në Turqi, Antali! Pastaj për Kupën do të mendojmë më vonë, por ajo që mund të them është se më mirë të takohesh me skuadrat e forta në fillim! Do të jenë dy sfida të mëdha dhe nuk ka favorit para ndeshjes!

“Bota sot”: Si kapiten, çfarë i premtoni “Intelektualëve”?

Ardian Limani: “Intelektualët” tashmë e dinë që ne gjithmonë e japim maksimumin që ata t’i gëzojmë në fund. Edhe këtë vit i premtojmë që do të angazhohemi shumë që t’i sjellim trofe, sepse ata me të vërtetë e meritojnë. Shpresoj që t’i shpërblejmë për përkrahjen që gjithmonë na kanë dhënë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat