Mehmeti: Kukësi ka shumë cilësi

Futboll

Mehmeti: Kukësi ka shumë cilësi

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 18:39
Mehmeti: Kukësi ka shumë cilësi

Kastrioti për momentin duket se qëndron në ujëra të qeta, sidomos pas fitores ndaj Bylsit, megjithatë skuadra krutane do të vendoset menjëherë përballë një testi të vështirë ku përballë do të ketë Kukësin, që vjen nga një seri prej 3 fitoresh radhazi.

Xhulio Mehmeti, që është një nga mesfushorët me më shumë peshë sportive tek kjo skuadër, e vlerëson skuadrën blu, duke pranuar pa hipokrizi që edhe barazimi do të ishte një rezultat pozitiv për ekipin e tij.

“Skuadra e Kukësit ka kualitete individuale nga më të mirat në kampionat. Është një ndeshje shumë e vështirë, pasi ata vijnë pas tre fitoresh, ashtu si edhe ne pas disa rezultatesh pozitive. Do të luajmë për rezultat pozitiv dhe do të bëjmë maksimumin të marrim të paktën një pikë. Mendoj se edhe një barazim është pozitiv ndaj Kukësit”, tha Mehmeti.

Gjendja aktuale e skuadrës është mjaft e mirë. Qetësia mbizotëron dhe Kastrioti po punon pa ndonjë presion të ekzagjeruar.

“Atmosfera është mjaft e mirë, pasi edhe rezultatet pozitive të javëve të fundit na kanë dhënë qetësi. Po punojmë shumë për të bërë paraqitje edhe më të mira, duke nisur nga ndeshja e fundjavës ndaj Kukësit”, u shpreh Mehmeti.

Për momentin diferenca me vendin e 8-të që të dërgon në play-out është 8 pikë, megjithatë Mehmeti nuk kërkon të nënvlerësojë asnjë situatë sepse ka ende shumë javë deri në fund, kështu që mbijetesa nuk mund konsiderohet e siguruar për krutanët.

“Kampionati është shumë i gjatë dhe ka shumë javë deri në fund, ndaj ne do të jemi të angazhuar në maksimum në çdo ndeshje, për të arritur sa më shpejt objektivin tonë”, tha mesfushori i krutanëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat