Kupa e Italisë, vendoset sot finalisti i parë mes Juventus dhe Inter

Futboll

Kupa e Italisë, vendoset sot finalisti i parë mes Juventus dhe Inter

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 09:06
Juventus përballë Inter

Juventus përballë Inter. Për të tretën herë në harkun e 3 javëve, por me ndeshjen që këtë herë luhet në shtëpinë e bardhezinjve. Dy rivalët historikë të kampionatit italian përplasen sërish, këtë herë për të vendosur se cila do të jetë skuadra që do të shkojë në finale.

Ndërsa në kampionat të dy skuadrat i përgjigjen dhëmbë për dhëmbë, javë pas jave, në aktin e dytë gjysmëfinal, “zonja e vjetër” është e favorizuar prej fitores 2-1 në 90 minutat e luajtura në “San Siro”, nën shenjën e Cristiano Ronaldos.

Fitorja në Torino e Inter mungon prej vitit 2013, megjithatë referuar ballafaqimeve të fundit, skuadra e Conte vjen këtë herë në formë më optimale. Fitore në fundjavë ndaj Fiorentinës, dhe grupi i lojtarëve që plotësohet me rikthimin e Lukakut dhe Hakimit që munguan prej kartonave në ndeshjen e parë. Optimizimi do të ishte i plotë për Antonio Conten nëse nuk do të mungonin këtë herë Sanchez dhe Vidal, edhe ata për të njëjtën arsye nga gjysmëfinalja e parë.

Pirlo në kampin tjetër konfirmon Buffon në portë, Cuadrado që pushoi në ndeshjen ndaj Romës dhe Bentacour që lë pas skualifikimin në kampionat. Lajmi i mirë është stërvitja e plotë dhe me grupin e Paolo Dybala që ka hedhur pas dëmtimin dhe shpreson të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Inter.

Skuadra që do të kalojë në finale, gjen një mes Atalantës dhe Napolit, që kanë garë të hapur në anën tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat