Kampionati anglez premton emocione të forta

Futboll

Kampionati anglez premton emocione të forta

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 11:22
Kampionati anglez premton emocione të forta

Kampionati anglez premton emocione të forta sot, pasi do të luhen dy ndeshje mjaft të rëndësishme, duke nisur me Leicester-Liverpool në orën 13:30 dhe më pas Manchester City-Tottenham në orën 17:30.

Dy humbje radhazi në “Anfield Road” në kampionat, e fundit ndaj rivalit direkt për titull, Manchester City-t, ka nxjerrë jashtë garës për kreun Liverpoolin, që momentalisht mban vendin e katërt me 40 pikë, 10 më pak se skuadra e Pep Guardiolës.

Megjithatë edhe gara për një vend në zonën Champions është bërë mjaft e ashpër, ndaj “the reds” janë të dënuar të marrin tre pikët në transfertën ndaj Leicesterit, për të blinduar pozitat në katërshen, duke qenë se Chelsea e Everton e ndjekin nga shumë pranë.

Trajneri Jurgen Klopp nuk ka kaluar një javë të qetë, pasi humbi mamanë e itj dy ditë më parë dhe për më tepër, nuk pati mundësi as të shkojë në Gjermani për t’i dhënë lamtumirën e fundit, për shkak të situatës së kriujuar nga koronavirusi.

Megjithatë gjermani ka arritur të punojë me skuadrën, për ta ngritur moralisht pas dy humbjeve të fundit, me qëllim që Salah me shokë të reagojnë dhe të marrin fitoren në një transfertë të vështirë si ajo ndaj Leicesterit.

Manchester City duket në rrugën e mbarë për t’u rikthyer te titulli kampion, pasi numëron 10 fitore radhazi në kampionat dhe 15 në total në të gjithë kompeticionet, por sot e pret një tjetër sfidë e vështirë.

Bëhet fjalë për përballjen ndaj londinezëve të Tottenham, të cilët nuk po kalojnë një moment të mirë dhe sapo janë eliminuar nga FA Cup, pas një ndeshjeje të lodhshme ndaj Evertonit, ku u luajt për plot 120 minuta.

Megjithatë me Jose Mourinhon në stol, londinezët kanë bërë gjithmonë mirë përballë skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola dhe sot do të provojnë t’u prishin ecurinë pozitive “bluve” të Manchesterit.

Për më tepër “Spurs” kanë mbetur disi larg zonës Champions në renditje, ndaj do të provojnë të dalin me tre pikë nga Manchesteri, për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në katërshen e parë.

Pep Guardiola do të duhet të bëjë pa shërbimet e lojtarëve si Aguero, De Bruyne e Nathan Ake, ndërsa nga krahu tjetër Mourinho nuk ka në dispozicion spanjollin Reguilon dhe argjentinasin Lo Celso, të cilët mungojnë prej ditësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat