​S’ka lojë pa shikues, autoritetet e Munihut të zemëruara me UEFA-n

Futboll

​S’ka lojë pa shikues, autoritetet e Munihut të zemëruara me UEFA-n

Më: 17 mars 2021 Në ora: 20:05
Foto ilustrim

Tërheqja e Munihut nga Euro 2021 nuk është në agjendë, thanë organizatorët gjermanë të Kampionatit Evropian, duke reaguar ashpër ndaj komenteve të UEFA-s mbi shqyrtimin e tërheqjes së organizimit të ndeshjeve nga qytete që nuk do të jenë në gjendje të presin shikuesit.

"Tërheqja e Munihut kurrë nuk ka qenë dhe nuk është në rendin e ditës," tha Komiteti Organizativ Gjerman në një deklaratë.

"Federata Gjermane dhe qyteti i Munihut vazhdojnë të punojnë në skenarë të ndryshëm në lidhje me shikuesit e mundshëm," shtuan ata.

Munihu duhet të presë tri ndeshje të Gjermanisë në Grupin F, kundër Francës, Portugalisë dhe Hungarisë, si dhe një ndeshje të çerekfinaleve.

UEFA ka njoftuar se nuk dëshiron një turne pa shikues, kështu që ekziston mundësia që disa ndeshje të zhvendosen në qytete të tjera në varësi të situatës epidemiologjike.

Kryetari i Munihut Dieter Reiter gjithashtu ka kritikuar këtë njoftim të njëanshëm nga UEFA.

"Unë do të doja që zyrtarët e UEFA-s, veçanërisht në këtë kohë, të kërkonin kontakte të drejtpërdrejta me qytetet pritëse në mënyrë që të kërkonin bashkërisht një zgjidhje," tha ai.

"Tani është e pamundur të thuhet nëse niveli i infektimit me pandeminë COVID-19 do të lejojë që spektatorët të pranohen në qershor apo jo. Por është e qartë se me rregulloret aktuale, demonstrime të kësaj natyre me spektatorë nuk janë aprovuar," shtoi ai.

Presidentja e Komitetit të Sporteve në Bundestag, Dagmar Freitag, e përshkroi kërkesën e UEFA-s si të papërgjegjshme.

"Duke pasur parasysh sfidat që lidhen me pandeminë me të cilën duhet të përballen dymbëdhjetë vendet pritëse, kërkesa e UEFA-s është injorante dhe e papërgjegjshme, por për mua e gjitha nuk është për t'u habitur," tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat