Memelli: Finalja e radhës në Shkodër

Futboll

Memelli: Finalja e radhës në Shkodër

Më: 24 prill 2021 Në ora: 12:39
Memelli: Finalja e radhës në Shkodër

Skënderbeu ka mbyl lur përgatitjet për ndeshjen e radhës në Shkodër ndaj Vllaznisë dhe duket gati për të tentuar të marrë më të mirën e mundshme nga kjo transfertë.

Pas humbjes me Teutën, korçarët duket se kanë lënë pas gjithçka dhe po shohin ndeshjen e radhës për të qëndruar në garë deri në fund për arritjen e objektivit final. Gjithsesi, përtej vështirësisë së këtij takimi trajneri bardhekuq duket se kërkon të marrë maksimumin, pavarësisht gjithçkaje. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli, komenton ndeshjen e ardhshme ndaj Vllaznisë si një finale të radhës për Skënderbeun, por nuk kërkon ta cilësojë si përcaktuese.

“Ndeshja e fundit e luajtur në shtëpi tashmë është diçka e kaluar dhe nuk ia vlen të ndalemi e ta analizojmë, pasi po mendojmë për përballjen e radhës. Nuk mendoj se ajo humbje ka lënë shenjë te ne apo na ka dëmtuar, pasi ishte një takim, i cili tregoi se nuk kishim asgjë më pak se Teuta për ta humbur atë përballje.

Gjithsesi, jemi të përqendruar totalisht te ndeshja e radhës me Vllazninë dhe po i japim rëndësinë që i takon këtij kundërshtari. Për ne është një ndeshje e radhës, por jemi fokusuar sikur të ishte një finale. Kjo është mënyra jonë e punës, finalja dhe ndeshja më e rëndësishme është takimi i radhës.

Do të shkojmë atje për të bërë më të mirën tonë dhe për të dhënë gjithçka nga vetja, për këtë të jeni të bindur. Nuk jam një trajner që kënaqem me pak, por dhe ekipi im nuk mjaftohet me pak. Do të hyjmë në fushë për të fituar dhe do të besojmë deri në fund se mund t’ia arrijmë. Kjo është ajo që kam kërkuar në çdo ndeshje nga skuadra dhe do të vazhdoj t’ua kërkoj një gjë të tillë djemve”, theksoi fillimisht Memelli.

RIVALËT – Më tej, numri një i pankinës korçare u ndal te ndeshjet e rivalëve, temë për të cilën pogradecari nuk donte të komentonte asgjë para se të luhej takimi i Skënderbeut në Shkodër. Gjithsesi, Memelli është shprehur i kënaqur që në këtë takim do të ketë një grup më të plotë dhe mund të bëjë zgjedhjet e tij në formacion. “Për fat të mirë mund të them se për këtë takim do të kem një ekip më të plotë se ndeshjet e fundit dhe kjo na jep sigurinë e të ecurit të qetë.

Do të kemi më shumë alternativa dhe mundësi zgjedhjeje qoftë për formacionin fillestar, ashtu edhe për ndryshime në lojë e sipër. Për sa u përket ndeshjeve të rivalëve tanë nuk dua të komentoj asgjë. Mund të them se nuk është kjo javë përcaktuese për fatet e sezonit. Ka edhe shumë ndeshje dhe ne kemi kundërshtar vetëm veten”, mbylli Memelli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat