Tollovi në Shqipëri, arbitri ishte militant partie, përzien politikën me sportin

Futboll

Tollovi në Shqipëri, arbitri ishte militant partie, përzien politikën me sportin

Më: 24 prill 2021 Në ora: 22:31
Tollovi në Shqipëri, arbitri ishte militant partie, përzien politikën me sportin

Sopoti është ndalur në një barazim 1:1 në shtëpi kundër Tërbunit. Ndeshja e luajtur dje në Librazhd ka pasur shumë tension për shkak të dy golave të anuluar për vendësit. Ekipi i Besnik Kolës e nisi mirë lojën, duke shënuar me Sejdinin. Mirëpo, teksa festohej goli, anësori Haxhiaj ngre flamurin për pozicion jashtë loje me shumë vonesë.

Kjo revolton futbollistët librazhdas. Gjithsesi, loja vazhdon dhe vendësit nuk ndalen në kërkim të golit, i cili nuk vonon. Mziu jep një asist për Gocin që nuk fal dhe kalon Sopotin në avantazh. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për vendësit dhe me irritimin e tyre drejt kryesorit Albano Stolaj, që sipas librazhdasve ka qenë protagonist me anulimin e golit të parë, duke sinjalizuar anësorin, i cili nga ana e tij ka hezituar në fillim për të ngritur flamurin, shkruan panoramasport.

Në startin e pjesës së dytë, Tërbuni përfiton nga një pakujdesi në mbrojtjen e Sopotit dhe ia del të barazojë me Kekon. Më pas ka shumë vonesa loje, madje gjyqtari Stolaj ndërpret ndeshjen për pak minuta, pasi nuk ndihet mirë. Pas rinisjes së lojës, librazhdasit realizojnë me një goditje dënimi të ekzekutuar nga Mziu. Arbitri Stolaj e anulon golin për faull në zonë. Këtu ka përplasje masive në fushë, ndërsa gjyqtari ndëshkon me të kuq Tanushin.

REAGIMI – Pas ndeshjes, në një reagim për “Panorama Sport”, administratori i klubit të Sopotit, Andri Çota, ka akuzuar gjyqtarin Albano Stolaj. “Federata përzien politikën me sportin! Sot (dje) në Librazhd, arbitër ishte një militant partie, një njeri që mllefin e tij politik e nxori në fushë kundër djersës së djemve. Futbolli është për të bashkuar njerëzit dhe jo për ta shfrytëzuar politikisht.

FSHF nuk duhet të caktojë një militant partie si Albano Stolaj, i cili vetëm 10 ditë më parë bënte postime kundër Librazhdit dhe përfaqësuesit të tij politik në rrjetet sociale. Duket qartë që urrejtjen që ky arbitër ordiner ka kundër qytetit të Librazhdit dhe deputetit të tij, e nxori në fushë.

Turp për FSHF-në! Kështu nuk mund ta zhvillosh futbollin Armando Duka!”, deklaroi Çota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat