Inzaghi: Ndaj Milanit si një finale

Futboll

Inzaghi: Ndaj Milanit si një finale

Më: 25 prill 2021 Në ora: 16:32
Inzaghi: Ndaj Milanit si një finale

Simone Inzaghi ka mposhtur koronavirusin dhe do të rikthehet në pankinë për sfidën ndaj Milanit në “Olimpico”, një përballje direkte për zonën Champions të renditjes, veçanërisht për bardhekaltrit, që kanë vetëm një rrugë për të shpresuar.

Tekniku i kryeqytetasve e pranon rëndësinë e përballjes me kuqezinjtë dhe bën thirrje që futbollistët e tij të luajnë me përqendrim e impenjim maksimal, pasi çdo rezultat tjetër përveç fitores, shuan shpresat e bardhekaltërve për zonën Champions.

“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer, pasi nuk ka qenë një eksperiencë e lehtë për t’u përballuar, por për fat të mirë tani është çdo gjë në rregull. Sfida ndaj Milanit është shumë e rëndësishme, madje vendimtare për të shpresuar për një vend në zonën Champions. Kemi bërë shumë gabime në fazën e parë, që na kanë kushtuar shtrenjtë dhe ndonëse kemi reaguar mirë, kjo mund të mos mjaftojë për t’ia arritur nëse nuk bëjmë një ndeshje perfekte me Milanin”, u shpreh Inzaghi.

Tekniku i skuadrës bardhekaltër nuk kërkon të japë asnjë pikë referimi për formacionin që do të përdorë nesër ndaj Milanit, teksa ka shmangur edhe komentet për rinovimin e kontratës, që është edhe një nga temat më të nxehta në klubin lacial.

“Do të bëjmë edhe një stërvitje dhe do të shohim se kush do të luajë, pasi do të përzgjedhim ata që janë më në formë për të përballuar një 90-minutësh të tillë. Kam vetëm tre orë që kam ardhur dhe nuk jam marrë me rinovimin. Fillimisht të arrijmë objektivat e sezonit dhe më pas do të vijë edhe rinovimi. Çdo gjë në kohën e duhur”, deklaroi trajneri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat