Përmbysje fantastike e Skënderbeut

Futboll

Përmbysje fantastike e Skënderbeut

Më: 28 prill 2021 Në ora: 15:27
Përmbysje fantastike e Skënderbeut

Provë forcë, oksigjen shprese dhe fitore e pabesueshme në Korçë nga Skënderbeu, që brenda dy minutave përmbys Bylisin në stadiumin e tij për një fitore 2-1, që rihap skenarët e luftës për mbijetesë. Një fitore me rëndësi maksimale për skuadrën e Memellit, që redukton në 3 pikë diferencën nga Bylisi, duke e futur rrezikshëm në “vorbullën” e mbijetesës.

Ndeshja nis e luftuar nga të dyja skuadrat, të vetëdijshme për rëndësinë e sfidës. Në të 8’ Mensah kapet në pozicion jashtë loje, por nuk janë dakord vendasit, edhe pse në fund vlen vendimi i gjyqtarit. Pas çerek ore lojë Skënderbeu në vështirësi, meritë e Ndrecës që lëshon një predhë nga distanca, me një trajektore të rrezikshme, që, gjithsesi, Rexhepi arrin t’i përgjigjet.

Pak më vonë ka pretendime nga ana e skuadrës korçare për një 11-metërsh për një rrëzim të Mensah në zonë, nuk është dakord kryesori Juxhin Xhaja. Dovedan në stol shikon t’i anulohet një gol në të 29-tën, shënon Anthony, por kryesori e gjykon në pozicion jashtë loje në momentin e pasimit të Ntepe, edhe pse përsëritja e imazheve lë dyshime në lidhje me episodin.

Rast i artë për Anthony në të 33-tën kur Dwoumfur gabon në largimin e topit dhe sulmuesi i Bylisit, i vetëm me Rexhepin, nuk arrin të përfitojë nga mundësia për të kaluar portierin.

Bylisi, gjithsesi, e gjen avantazhin në të 35-tën kombinime të bukura të mallakastriotëve në një aksion që finalizohet nga DeSancic me goditjen e devijuar, që mashtron Rexhepin.

Bylisi në avantazh në Korçë, pritet reagimi i vendasve, që nuk mungon, dhe çfarë reagimi madje. Në të 41-tën, Mensah del para Qirkos, që ia kthen topin, por gjendet gati për të përfituar Kosta Vangjeli, që me goditjen e tij sjell baraspeshën.

Gjithçka nga e para, por Bylisi ndien goditjen dhe menjëherë më pas, pas vetëm 2 minutash, Skënderbeu bën bis, këtë herë me Elvi Berishën, që shfrytëzon si duhet pasimin e Zguros, lirohet nga markimi gjen hapësirën për goditjen dhe shënon.

Përmbysje e pabesueshme e Skënderbeut, dy gola brenda dy minutave nga vendasit që kryesojnë 2-1, i veçantë festimi i Berishës me Zguron, që imitojnë një goditje “knockout”-I, edhe pse ka edhe një pjesë për t’u luajtur.

Një fraksion që, gjithsesi Bylisi nuk arrin ta shfrytëzojë si duhet e madje rrezikon në të 62-tën, kur pas një krosimi të gjatë, Mensah avancon në të djathtë dhe godet, por përgjigjet Pano Qirko.

Skënderbeu menaxhon avantazhin përballë një Bylisi që bën shumë pak, pa arritur të kërcënojë seriozisht portën korçare dhe përfundon 2-1 për Skënderbeun, një fitore që vlen ar, e çon vetëm 3 pikë larg Bylisit dhe mund të tentojë parakalimin në 6 javët e mbetura e madje mund të kërcënojë edhe Kastriotin. Lufta për mbijetesën bëhet më e ndezur se kurrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat