Ndreu: Penallti? Na e japin vetëm po na shtinë me pushkë

Futboll

Ndreu: Penallti? Na e japin vetëm po na shtinë me pushkë

Më: 1 maj 2021 Në ora: 13:27
Ndreu: Penallti? Na e japin vetëm po na shtinë me pushkë

Kastrioti ka një ndeshje tejet të rëndësishme në ditën e nesërme, teksa luan me rival të drejtpërdrejtë si Skënderbeu. Para mediave, trajneri i krutanëve, Ramadan Ndreu thekson se ia ka bërë të qartë të tijve se nuk do të ketë penallti për ta. Ndërsa shton se arbitrat gabojnë me dashje.

“Në fazën e tretë dhe të katërt pikët merren vetëm me skuadra rivale. Skuadrat e kreut janë skuadra të mira, janë skuadra që kanë investuar shumë dhe kanë marrë atë marshin për të mos mbetur jashtë Europës. Ndaj tyre është shumë e vështirë.

Skënderbeu? Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, është jetike. Edhe me Apoloninë ishte e tillë. E kam parë dhe riparë disa herë rastin dhe jam shumë i zhgënjyer se si ka mundësi të na masakrojnë në këtë mënyrë.

Nuk ka penallti për ne, ajo punë ka marrë fund. Edhe lojtarëve u kam thënë që mos e mbani mendjen te penalltia. Vetëm po na shtinë në pushkë mund të marrim penallti, ndryshe nuk ndodh. Po i referohem ndeshjes së fundit me Apoloninë. Ne kemi eksperiencë në këtë fushë dhe e dimë kur jepet e kur nuk mund të jepet. Duke parë ndeshjen, kam fiksuar jo më pak, por 10 gabime në vendosje të anësorit.

Si mundet që një anësor, kur aksioni është në fundore, ai të rrijë në mesfushë? Këto janë nga ato raste, që kur duan të gabojnë, rrinë aty. Sot ka arbitra shumë të mirë dhe unë jam i bindur 1000% se nëse gabojnë, e bëjnë me dashje. Nuk mund të ndodhë ndryshe.

Pa diskutim që janë të qëllimshme, nuk më hiqet nga mendja. Në çdo media është folur që janë raste të pastra, raste të dyshimta e me radhë. Gabon një herë, dy, por jo shumicën e ndeshjeve, ku në 30 javë na është dhënë vetëm një penallti.

Frikë nga gjykimi me Skënderbeun? Është fundi i kampionatit dhe në këto ndeshje të mbetura do ishte mirë që dhe arbitrat të mbanin drejtësi. Shpresoj që në këtë ndeshje të mos na hahet haku. Kemi punuar shumë këto ditë që kishim në dispozicion.

Skënderbeu është një skuadër që ka bërë mirë në ndeshjet e fundit. Është një kundërshtar i vështirë, por kam shumë besim te skuadra që do ia dalim këtë radhë. Nëse futbollistët e vlerësojnë siç duhet dhe janë shumë të thjeshtë, jam i bindur që do t’i marrim tri pikët, që i kemi të domosdoshme. Tani nuk lejohen më gabimet”, u shpreh Ndreu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat