“Dias kapiten i ardhshëm”, Guardiola: Aguero si luani në xhungël, luan fiks si Romario

Futboll

“Dias kapiten i ardhshëm”, Guardiola: Aguero si luani në xhungël, luan fiks si Romario

Më: 21 maj 2021 Në ora: 23:35
Pep Guardiola

Sergio Aguero do të lërë Manchester Cityn në fund të sezonit dhe para largimit nuk mungojnë aspak elozhet nga Guardiola. Gjeniu e spanjoll e krahason argjentinasin me një luan në xhungël dhe me ish-yllin e Brazilit dhe Barcelonës, Romario.

“Aguero është person i mrekullueshëm, gazmor dhe i përulur. Ka shënuar shumë gola këtu. Nuk mund ta imagjinoj sa gola do të kishte shënuar nëse nuk do të kishte probleme fizike në disa sezone. Ka qenë i dashur nga të gjithë këtu. Nuk kam ç’them më shumë për aftësitë e tij, numrat flasin vetë.

Tifozët do ta falënderojnë për gjithçka që ka bërë për këtë klub. Kur është pa probleme fizike, ai është një futbollist siç ishte Romario në Brazil. Në pesë metrat e fundit ai është si një luan në xhungël. E ka atë cilësi. Dhe ai ka një nuhatje unike për të shënuar gola. Ende mund të bëjë çfarë të dojë, gjithçka varet nga gjendja e tij fizike”, tregon Pep.

Më pas trajneri spanjoll flet edhe për Ruben Dias, një nga blerjet e verës së shkuar, që ka rezultuar të jetë goditje e madhe dhe është shndërruar në një nga elementet më të rëndësishëm në skuadër.

“Ruben Dias është një lojtar që mendon vetëm për futbollin, 24 orë në ditë. Ndoshta jam gabim, por për një kohë të shkurtër mendoj se do të zgjidhet kapiten. Ka treguar se është i aftë të drejtojë një ekip. Dëshiron të përmirësohet, të dëgjojë, të pranojë gabimet e tij. Ruben gëzon sukseset e kolegëve të tij. Ai është një djalë që thotë diçka sepse e ndjen”, u shpreh Guardiola. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat