Daja: Nuk luftohet me mullinjtë e erës

Futboll

Daja: Nuk luftohet me mullinjtë e erës

Më: 25 maj 2021 Në ora: 11:02
Daja: Nuk luftohet me mullinjtë e erës

Ilir Daja ka dalë në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes së fundit të Superiores. Natyrisht, dalja jashtë garës për titull ka lënë shije të hidhur te të kuqtë, sepse ishin shumë afër. Ajo penallti, tejet e kontestuar, shihet si shkaku i disfatës me Vllazninë:

“Në mënyrë permanente jemi goditur. Kur po nisesha në konferencën për shtyp më erdhën vendimet e Komisionit të Disiplinës, i kishin nisur në e-mailin tim privat. Si duket kanë menduar t’ia çojmë njëherë trajnerit, që të mos hapi gojën. Nuk është rast i izoluar, sepse po të ishte, do ta quaja normale, sepse jemi njerëz.

Por, ka qenë në vazhdimësi dhe ndaj Vllaznisë ishte e fundit, për të na nxjerrë jashtë gare. Kam dëgjuar opinionistët e Vllaznisë dhe dua të sqaroj se në këtë çështje nuk ka lidhje Vllaznia, nuk e dhanë ata penalltinë. Kanë bërë një kampionat të mirë dhe janë me meritë aty ku janë. Nuk ka pse të analizojnë problemet e tjera, sepse nesër do t’i ndodhë Vllaznisë apo ndonjë ekipi tjetër.

Më ka ndodhur në dy raste në karrierën time, kur kam dorëzuar titullin në dy ndeshje nga fundi. Ka qenë Jorgji në ato raste, por nuk ka të bëjë me të, sepse nëse nuk do të ishte ai, do të ishte një Jorgj tjetër. Në 4 ndeshjet e fundit, në 3 na ka gjykuar Hamiti. Në gjithë kampionatin, Partizani nuk ka fituar asnjëherë nën gjykimin e Hamitit. Më pas me Ferhatin e me shokë, që e pamë se ç’donin të bënin.

Mendoj që, nëse nuk e kishin bërë këtë javë, java e fundit në Ballsh do të kishte qenë skëterrë në paragjykimin tim. Kemi shumë mungesa për nesër. Asani është dëmtuar në stërvitjen e parafundit, Junior, Belica dhe Broja janë me kartonë. Është në pikëpyetje edhe një tjetër lojtar, për të cilin do të marrim përgjigje në vijim. Do të shkojmë të bëjmë ndeshjen tonë me Bylisin. Nuk do të luftojmë me mullinjtë e erës, sepse gjithçka mendoj se është e mbyllur.

Do të respektojmë kampionatin dhe punën e bërë me kontigjentin që kemi dhe t’iu tregojmë të gjithëve se Partizani nuk ka pasur asnjë aleat në këtë kampionat. Do të bëjmë më të mirën me mundësitë që kemi. Duam maksimumin në këtë ndeshje. Fjalët e mia për gjykimin janë për të çuar në vendin e duhur meritën dhe arbitrat të mos jenë pjesë e paragjykimeve.

Nuk flas se dha një penallti në fraksion sekonde, por është skandaloze që arbitri kryesor është 7 metra nga Belica dhe gjithçka e sheh ai, por merr mendimin e anësorit dhe fundorit, që nuk shihnin asgjë. Nuk ka ndodhur vetëm me Vllazninë, janë edhe shumë gola të rregullt të mohuar, sidomos në fazën e fundit. Ky nuk është një vendim i momentit, por një vazhdë e gjithë kampionatit.

Luftuam deri në javën e parafundit, nuk na lanë të luftojmë edhe këtë javë. Nëse pretendojmë këtë javë titullin kampion është utopi, nëse nuk na lanë deri më tani, nuk do ta bëjnë në ndeshjen e fundit. Nuk po them se s’do shkojmë për të fituar në Ballsh, por them se titulli është çështje e mbyllur.

Kemi nisur të mendojmë për Europën, sepse janë shumë lojtarë në fund të kontratave. Disa prej tyre, siç e ka konfirmuar shtypi, kanë firmosur edhe parakontrata, diçka që e lejon edhe FIFA, por në etikën morale kjo nuk shkon, sepse Partizani i ka mbështetur në të gjitha drejtimet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat