Afrim Tovërlani apo legjenda e Prishtinës, ‘Plisat’ e kanë gjithmonë në zemër

Futboll

Afrim Tovërlani apo legjenda e Prishtinës, ‘Plisat’ e kanë gjithmonë në zemër

Nga: Kemajl Goca Më: 25 maj 2021 Në ora: 19:52
Afrim Tovërlani

Afrim Tovërlani është idhull i tifozëve “Plisat” e Prishtinës! FC Prishtina, klubi më i trofeshëm në futbollin e Kosovës, sukseset e saja janë të lidhura edhe me emrin e Afrim Tovërlanit në periudhat e ndryshme! 

Zinxhiri lidhet në tri periudha: vitet e 80-ta, 90-ta dhe vitet e 2000-ta.

Si pionier, si junior, si senior, si kapiten, si trajner i Prishtinës, “Toki” shijoi të gjitha trofetë e mundshme.

Image

Gjatë festës së Prishtinës, të dielën

Në diell e në shi, në borë e në acar, “Toki” me Prishtinën! 

Edhe atëherë kur jeta ishte në rrezik nga bandat dhe milicia e pushtuesit serb, “Toki” me Prishtinën (1991-1999), i gatshëm qoftë nevoja edhe të vdes.

Edhe sot kur nuk është brenda klubit fizikisht, ai është me Prishtinën. 

“Plisat” nuk munden pa emrin e Tovërlanit, pa fanellën e “Tokit”, pa legjendën e Prishtinës, si ish futbollist më së gjati ka qenë pjesë e këtij kolektivit, pothuajse edhe i pandashëm. Tërësisht bardhekaltër. Legjendë e Prishtinës! 

Image

Tovërlani si futbollist i Prishtinës, në ligën e parë ish jugosllave 

Në vitin 1985-1986, ka pasur kapiten legjendën, të papërsëritshmin Fadil Vokrri. Qysh në moshën 18-vjeçare, luajti para rreth 30 mijë shikuesve, në një atmosferë sikur latinoamerikane, shijoi fitoren kundër Velezhit nga Mostari me rezultat 3:2 (në elitën e futbollit ish jugosllav) me het-trik të Fadil Muriqit!   

Prishtina e festoi titullin e 11-të në histori të pavarësimit të futbollit të Kosovës, shumica e titujve janë të lidhur edhe me emrin e legjendës së Prishtinës, Tovërlani, qoftë si futbollist qoftë si trajner.

Së fundi Zekirija Ramadani, kryetrajner i Prishtinës, pas tetë viteve rikthyen titullin në kryeqytet, në vitrinat e klubit më të madh në Kosovë.
Prishtina në festë, “Plisat” këndonin këngën e bukur e emocionuese të Prishtinës, besa-besë... Tovërlani mungonte fizikisht në festë por nuk mungonte emri i tij në fanellë! Emocionuese!  

Gjatë festës u panë edhe disa tifozë ‘Plisat’ me fanellë që barteni në shpinë emrin e Tovërlanit, dhjetëshi i Prishtinës.
 “Plisat” gjithmonë e kanë në zemër kudo që shkojnë legjendën e klubit, edhe si trajner fitoi më së shumit tituj, tre tituj me Prishtinën në vitet e pasluftës. 

Tovërlani njihet si trajneri më i trofeshëm në 22 vitet e fundit në Kosovë, askush nuk ia ka thyer rekordin, është shpallur 4 herë kampion, 3 tituj me Prishtinën dhe 1 me Feronikelin.

Askush më mirë se Tovërlani nuk e kupton gjuhën e Prishtinës, i rritur e i kalitur, i pjekur dhe i burrëruar, në lot gëzimi e hidhërimi, me një klub që gjithmonë solli gëzime të papërshkrueshme në mesin e tifozëve. 

“Toki” dhe Prishtina e Prishtina e “Toki”, janë të lidhura fortë me njëra – tjetrën, gjithmonë në histori. 

Historia e fakton më së miri, që nga ditët më të ëmbla, të vështira e deri të shkëlqimi, “Toki” po “Toki”. Ky është Tovërlani, që “Plisat” e kanë në zemër, një legjendë për qejfi! Askush si “Toki”, besniku më i madh i Prishtinës si futbollist.

Edhe sot kur qan, qan me lotët bardhekaltër, kur buzëqeshet bardhekaltër, kur e bën hapin bardhekaltër, kur mendon bardhekaltër, merr frymë bardhekaltër, aty i vlon damari, dashuria e përjetshme është FC Prishtina, aty ku derdhi shumë djersë e mundë! “Plisat” nuk e harrojnë, e kanë një legjendë, Tovërlani, që iu solli gëzime të panumërta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat