Zidane në Juventus?

Futboll

Zidane në Juventus?

Më: 26 maj 2021 Në ora: 15:21
Zidane në Juventus?

“Masimiliano Alegri i ka mbyllur të gjitha detajet me Realin e Madridit dhe nuk ka më asnjë dyshim që do të jetë italiani pasuesi i Zinedin Zidanit në krye të stolit”.

Ishte ky mendimi dhe garancia e të përditshmeve kryeqytetase, “Marca” e “As” lidhur me të ardhmen e stolit madrilen, duke garantuar se tashmë presidenti Florentino Perez është bindur totalisht nga “Konti Maks” dhe tani pret vetëm të zyrtarizojë ish-juventinin, konfirmim ky që do të vijë pasi të jetë vetë Zinedin Zidan ai që duhet të japë i pari dorëheqjen nga klubi.

Ky lajm mund të bëjë shumë të lumtur Andrea Pirlon, duke qenë se nga horizonti i tij torinez tashmë ka një rival më pak për të ruajtur stolin te “Zonja e Vjetër”. Për “Maestron” i vetmi rrezik tani e përbën Zinedin Zidani, trajneri francez që do të largohet nga Reali i Madridit, pas një sezoni të mbyllur pa asnjë trofe dhe gjithmonë e më i profilizuar për t’u rikthyer në Torino tashmë si teknik.

Mes Pirlos dhe drejtuesve të Juventusit nuk ka pasur ende një takim, ndonëse ai pritet që të vijë brenda kësaj jave dhe pse jo, të nisin më konkretisht edhe përgatitjet për sezonin e ardhshëm.

Fakti që Pirlo arriti që të kualifikojë skuadrën në Champions, pas fitores të Kupës dhe Superkupës së Italisë ka vënë shumë në dyshime Andrea Anjelin, që vuri personalisht bast për ish-fantazistin, ndonëse tani ka ardhur koha e vendimeve të mëdha dhe nëse nuk nxiton, ndoshta as Zidan nuk do të shtyjë në pafundësi pushimet e tij verore, teksa qëndron në pritje të një telefonate nga Torino.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat