Barcelona i bën ofertë 10-vjeçare Messit

Futboll

Barcelona i bën ofertë 10-vjeçare Messit

Më: 28 maj 2021 Në ora: 13:12
Barcelona i bën ofertë 10-vjeçare Messit

Lionel Mesi u largua drejt Argjentinës me kontratën e rinovimit me Barcelonën në duart e tij. Sipas lajmit të “TV3”, klubi katalanas ka vendosur që të mos rrijë më duarkryq dhe të presë për auditin në lidhje me financat, proces i cili do të zgjatë 2-3 javë.

Kontrata që Mesi ka në duart e tij është për 10 vite dhe ndahet në tri etapa të ndryshme. Ai mund të qëndrojë te Barcelona për 2 vitet e ardhshme, pastaj të jetë ambasador i klubit katalanas nëse dëshiron ta vazhdojë karrierën e tij në kampionatin amerikan. Etapa e tretë lidhet me kohën pas përfundimit të karrierës si futbollist.

Mesi do të ketë një vend në organigramën e Barcelonës dhe do të jetë drejtues i klubit. “Pleshti” ende nuk i është përgjigjur kësaj oferte sepse po pret të njohë projektin sportiv që po përgatit Joan Laporta në fillim të sezonit të ardhshëm. Por, sipas të njëjtave informacioneve, kontaktet mes zëvendëspresidentit sportiv Rafa Juste dhe babait të lojtarit, Horge Mesi, janë intensifikuar së tepërmi në ditët e fundit.

Nuk ka asnjë dyshim që prezenca e Serxho Agueros te Barcelona në këtë verë është një stimul i madh për Mesin që të qëndrojë, edhe pse ai dëshiron t’i kuptojë më mirë gjërat për të marrë vendimin përfundimtar. Në çdo rast, si Laporta, ashtu edhe aktorët e tjerë brenda klubit janë optimistë për rinovimin e Leo Mesit.

Gjithashtu, ata janë të sigurt se ai do të bëjë një ulje të madhe të rrogës për vitet e ardhshme dhe Leo do ta kuptojë vështirësinë që po kalon klubi. Ideja është që PSG-ja luan fort me aspektin ekonomik dhe është gati t’i bëjë një ofertë shumë të rëndësishme për ta bindur sulmuesin argjentinas.

Leo ndodhet i grumbulluar me kombëtaren e Argjentinës, e cila do të luajë pas disa ditësh eliminatoret e Botërorit “Katar 2022” dhe Kupën e Amerikës në mesin e muajit qershor. Leo e nisi shumë keq sezonin që lamë pas sepse kërkoi largimin nga skuadra e Barcelonës, por ish-presidenti Bartomeu nuk ia plotësoi këtë dëshirë. Në fillimin e vitit 2021, “Pleshti” ishte tjetër lojtar dhe bëri ndeshje mjaft të mira duke fituar “Kupën e Mbretit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat