Çiço: Sot po merren fatkeqësisht me gjëra të tjera

Futboll

Çiço: Sot po merren fatkeqësisht me gjëra të tjera

Më: 30 maj 2021 Në ora: 15:09
Çiço: Sot po merren fatkeqësisht me gjëra të tjera

Projekti “Playmakers” i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me kompaninë e famshme “Disney” dhe UEFA-n ka nisur të implementohet në të gjithë vendin. Pas startit në fillim të kësaj jave në një prej shkollave të kryeqytetit, stacioni i radhës ka qenë kopshti “Gogi Kids Education” në Tiranë, ku instruktorët e certifikuar nga FSHF-ja për këtë program kanë zhvilluar seanca stërvitore me vajzat e moshës 5-6 vjeç.

Projekti “Playmakers” synon t’i familjarizojë vajzat e vogla me botën e bukur të futbollin: të zbatojë një qasje të re, të personalizuar të trajnimit/stërvitjes, që përdor imagjinatën (frymëzuar nga historitë dhe personazhet e Disney) si mjet për stërvitjen dhe të mësuarit e aftësive në futboll; si edhe të përmirësojë aftësimin fiziko-teknik të vajzave dhe të nxisë një marrëdhënie të përhershme me futbollin. Të pranishëm në këtë event ishin përfaqësues të FSHF-së dhe drejtuesit të kopshtit, por edhe shumë prindër të fëmijëve që frekuentojnë këtë institucion.

Duke folur për Fshf.org, kryetarja e bordit të prindërve të kopshtit, Rezarta Mersini, vlerësoi iniciativën e FSHF-së për të përfshirë vajzat e vogla në botën e futbollit përmes këtij projekti, duke e cilësuar si një të mirë publike masivizimin e futbollit.

“Futbolli është një sport shumë i dashur, më i dashuri në Shqipëri dhe si të tillë ne e quajmë me rëndësi kritike që ta përfshijmë në kurrikulën tonë të planit vjetor. Në formatin e këtij projekti, të UEFA Disney Playmakers për vajzat e grup-moshave 5-8 vjeç për t’u edukuar që në fëmijërinë e hershme me lojën e futbollit, nëpërmjet tregimit të përrallave dhe personazheve të Disneyt. E shikoj si një të mirë publike që ofrohet në partneritet dhe me dëshirën e madhe dhe iniciativën e Federatës Shqiptare të Futbollit për ta përhapur dhe për ta çuar edhe në institucionet jo publike të arsimit para universitar të Republikës së Shqipërisë. Kopshti ‘Gogi Kids’ do të vazhdojë për tetë javë radhazi ta ofrojë si pjesë të programit të tij, edhe gjatë shkollës verore përfshirjen në këtë program, UEFA Disney Playmakers dhe kemi dëshirën e madhe, por jo vetëm, edhe sigurinë, që do të jetë një sukses”. – tha Mersini.

I pranishëm në këtë seancë stërvitore mes familjarëve të fëmijëve që frekuentojnë këtë kopsht ishte edhe gazetari Reis Çiço, i cili ka falënderuar Federatën Shqiptare të Futbollit për punën që po bën, duke nxitur fëmijët të merren me sport.

“Lidhur me implementimin e Playmakers, një program ky që shtrihet deri te fëmijët e kopshtit, një program që i bën fëmijët ta duan futbollin, të merren me sport dhe kjo është diçka shumë pozitive. Unë po e shikoj sot këtu në këtë kopsht që fëmijët jo vetëm po argëtohen, por nxiten për t’u marrë me futboll, sepse sot po merren fatkeqësisht me gjëra të tjera. Pra implementimi i këtij program, unë besoj se është një nga programet dhe punët më të shkëlqyera që bën Federata Shqiptare e Futbollit”, – tha Reis Çiço.

Ky projekt, që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, synon të zhvillojë e masivizojë futbollin e fëmijëve e veçanërisht atë të vajzave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat