Shpresa më e madhe e Italisë

Futboll

Shpresa më e madhe e Italisë

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 13:53
Shpresa më e madhe e Italisë

Sulmuesi i Juventusit, Federiko Kieza, është shpresa më e madhe e Italisë në pritje të këtij Europiani, ndonëse në miqësoren e fundit brenda familjes, të dielën ndaj ekipit U-20, Roberto Mançini ia tërhoqi veshin përpara syve të të gjithë grupit, së bashku me Belotin dhe Emersonin. Por, me sa duket 23-vjeçari e ka marrë të qartë sinjalin e ardhur nga trajneri i tij dhe për ndeshjen hapëse ndaj Turqisë është gati që t’i kërkojë falje siç i takon një sulmuesi dhe lideri, të marrë skuadrën peshë mbi shpatulla dhe pse jo të shënojë edhe një gol me vlerë. Prandaj, në pritje të ndeshjes së nesër me “Olimpiko”, ylli bardhezi ka treguar disa prej ndjesive dhe sekreteve.

SI BABAI – “Ajo që ndezi pasionin tim për futbollin ishte pa dyshim familja, duke qenë se edhe babai im, Enriko, ishte një sulmues që ka shënuar shumë dhe ka fituar disa trofe. Që në moshën 7- vjeçare ai më merrte me vete në stërvitje dhe normal që edhe pëlqimi im për këtë sport rritej.

Mirëpo, më shumë sesa kjo ndikoi fakti që mamaja ime e ka ndjekur për 20 vite me radhë në çdo ndeshje dhe në çdo cep të Italisë dhe Europës babanë tim. Gjithsesi, mendoj se më shumë se pasioni ajo që më ka përcjellë familja ime është përulësia dhe dëshira për të kërkuar gjithmonë përmirësimin, jo vetëm në futboll, por edhe në studime. Ndaj sot jam ky që jam, falë familjes sime, por në futboll kam ende shumë për të treguar”, bën hyrjen e tij Federiko Kieza.

TRAJNERËT DHE CR7 – Nëse Italia e vuri re shpejt talentin e italianit, 23-vjeçari i detyrohet shumë Paulo Souzës: “Ai ishte i pari që vuri bast për mua, duke më marrë nga të rinjtë dhe më dërgoi direkt në fushë me skuadrën e parë të Fiorentinës. Ndërsa do t’i jep gjithmonë borxhli trajnerit të të rinjve në Firence, Guidi, i cili më mësoi se futbolli më shumë sesa cilësi kërkon përkushtim dhe intensitet, cilësi që mendoj se i kam. Unë dhe Juventusi? Ndonjëherë, disa gjëra janë të shkruara… Debutimin me skuadrën U-19 kur luaja në Firence e bëri pikërisht ndaj Juves U-19, të cilës i shënova gol në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Dhe tani jam në Torino, duke shijuar një ëndërr… Së bashku me Ronaldon? Po, së bashku me Kristianon… E thash, dua gjithmonë që të përmirësohem dhe prej tij kam marrë shumë gjëra këtë sezon. Në të njëjtën kohë ai më ka këshilluar sidomos për mënyrën se si duhet të godas portën. Dhe kishte të drejtë, pasi duke marrë leksione prej tij kam shënuar shumë më shumë sesa në fillim, por ajo ku dua ta ndjek është edhe vullneti i pashtershëm për t’u përmirësuar, ndonëse në moshën 36-vjeçare”.

ITALI-TURQI – Federiko Kieza pritet të jetë titullar për ndeshjen hapëse të “Euro 2020”, nesër në mbrëmje ndaj Turqisë, takim për të cilin saktëson: “Emocionet do të jenë të mëdha. Mendoj se ua kemi borxh italianëve që të bëjnë një hapje të madhe dhe një Europian fantastik. Pasi, vetëm kështu mund të harrojmë dështimin e mospjesëmarrjes në Botërorin e vitit 2018. Ëndërroj një festë kombëtare si në 2006. Ndaj, Turqia është e paralajmëruar, pasi jemi shumë të uritur”, tha sulmuesi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat