Chiellini flet për dëmtimin: Asgjë serioze, sa mirë që nuk rrezikova

Futboll

Chiellini flet për dëmtimin: Asgjë serioze, sa mirë që nuk rrezikova

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 17:51
Giorgio Chiellini

Giorgio Chiellini pësoi një dëmtim në ndeshjen ndaj Zvicrës, që Italia e fitoi 3-0. Kapiteni vendosi të mos rrezikojë dhe kërkoi ndërrim. 36-vjeçari qetëson tifozët dhe thekson se situata është pozitive, dhe shumë shpejt do e shohim sërish në fushë.

“Për fat të mirë ndodhem në gjendje të mirë, dëmtimi im nuk është i rëndë, nuk është ndonjë gjë serioze. Do të pushoj pak ditë dhe të shohim më pas se çfarë do të ndodhë. Ia dola të ndalem përpara se të përkeqësohej situata“, deklaron kapiteni i Italisë.

Më pas një koment për ecurinë fantastike të kombëtares së kaltër, që nuk humbet prej 3 vitesh dhe ndaj Zvicrës (3-0) regjistroi ndeshjen e dhjetë radhazi pa pësuar gol. Italia kryeson grupin A të Euro 2020 me 6 pikë të plota. “Skuadra po rritet nga ndeshja në ndeshje.

Kjo Itali ka një entuziazëm që e lejon të bëjë gjithçka mirë pa mund të madh dhe në mënyrë spontane. Ekziston energjia pozitive që shkon përtej 11 lojtarëve që zbresin në fushë. E karikojmë dhe e tërheqim njëri-tjetrin.

Në këto vite ka pasur ndryshim të madh të lojtarëve, por rezultatet kanë qenë të njëjta. Kjo do të thotë shumë, baza solide ekziston, teksa dallohet edhe dora e trajnerit, i cili ia ka dalë të transformojë ekipin. Kjo e lehtëson integrimin e atyre që bëhen pjesë e Italisë“.

Sfida e radhës luhet të dielën në mbrëmje (21:00). Përballë Uellsi dhe Aaron Ramsey, shoku i Chiellinit te Juventusi. “Uellsi është një skuadër shumë e mirë. Jam i lumtur që Ramsey shënoi ndaj Turqisë.

Ai po gjen atë vazhdimësi që, për fat të keq, nuk e ka gjetur te Juventusi. Ama, askush nuk ka dyshuar kurrë në kualitetin e tij. Aaron është një futbollist inteligjent, ia del të vendosë veten në pozicionin e duhur, në momentin e duhur“, përfundoi mbrojtësi i njohur. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat