Shkëndija fuqi për bullgarët

Futboll

Shkëndija fuqi për bullgarët

Më: 29 qershor 2021 Në ora: 22:12
Shkëndija fuqi për bullgarët

Kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija nga Tetova, fuqi për skuadrën bullgare. 

Kuqezinjtë dalin me fitore rezultat 3:2 përballë CSKA 1948 të Sofies në testin gjeneral para startit të garave në Kupat e Evropës.

 “Ekipi e mbyll mbarë serinë e ndeshjeve testuese para xhiros së parë eliminatore në UEFA Champions League.

Image

Kuqezinjtë ishin mysafirë në Bansko të Bullgarisë, ku përballë CSKA 1948 të Sofjes zhvilluan provën gjenerale para startit të ndeshjeve zyrtare dhe fitorja 3:2 si dhe tre triumfet rresht në miqësoret e luajtura padyshim se mbajnë atmosferën pozitive të skuadra e trajnerit Ernest Gjoka.

Në qendrën turistike Bansko, Shkëndija e nisi më mirë ndeshjen dhe krijoi disa mundësi të mira për gol. Shansin më ideal e kishte Doriev në minutën e 17-të kur del i vetmuar para portës, por bashkë me portierin kundërshtarë parabolon edhe portën e CSKA 1948. Dominimi i kuqezinjëve solli rezultat në minutën e 21-të kur pas një aksioni të Ibraimit dhe Alimit, topi pak sa me fat i del Zejnullait, i cili me një parabolë të bukur mund portierin Naumov dhe sjell epërsi 1:0 për Shkëndijën.

Kuqezinjtë nuk ulën ritmin e lojës dhe vazhduan të kërkojnë golin e dyë, me Ibraimin që kishte dy mundësitë më të mira por pa sukses.

Fillimisht në minutën e 27-të volei i tij u ndal nga portieri kundërshtarë Naumov, ndërsa në minutën e 33-të e djathta e tij shkoi skaj portës.
Pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të Shkëndijës, ndërsa në vazhdim fillimi i fraksionit të dytë do të sillte shumë nxitje dhe tre gola në harkun kohor prej vetëm 6-të minutave, kur edhe pse shënuan dy lojtarë të CSKA-së dhe një i Shkëndijës, rezultati shkoi në 3:1 për tanët për faktin se një prej golave ishte autogol. Ishte minuta e 53-të kur harkimi i Muratit drejt Ibraimit, në tentimin për të pastruar Videv shënon në rrjetë të gabuar për epërsi 2:0 të kuqezinjëve.

Në anën tjetër katër minuta më vonë Klimentov godet bukur për gol të bullgarëve që zbusin negativën në 1:2, mirëpo Shkëndija shpejt përgjigjet me tjetër gol kur Nafiu ndalet me faul në zonën e rreptësisë, ndërsa Ibraimi godet saktë nga 11-të metra për rezultat 3:1 në minutën e 59-të.

Pak më vonë trajneri Gjoka zëvendësoi komplet ekipin, në përjashtim të dyshes qendrore të mbrojtjes Bejtullai-Krivak që mbetën në lojë.

Ndeshja vazhdoi të jetë e hapur nga të dyja palët, me dy super pritje u dallua portieri Bekim Rexhepi në minutat 72 dhe 80, ndërsa ekipi bullgar arriti të gjejë golin e dytë në minutën e 74-të kur Cenev me kokë vulosi rezultatin përfundimtarë CSKA 1948-Shkëndija 2:3.

Kështu kuqezinjtë mbyllin serine prej 4 ndeshjeve kontrolluese në këtë fazë përgatitore me efekt prej tre fitoreve dhe një humbje (u mundëm 2:0 nga Prishtina, ndërsa fitojmë 2:0 me Shkupin, 2:1 me Laçin dhe 3:2 me CSKA 1948). Sonte skuadra kthehet në Tetovë për të vijuar përgatitjet përfundimtare para sfidës së 6 korrikut në Shkup përballë Nafta-s së Sllovenisë në raundin e parë eliminatorë të UEFA Champions League”, njofton faqja e Shkëndijes.  

CSKA 1948- Shkëndija 2:3 (0:1)
Stadiumi: Qendra Sportive në Bansko të Bullgarisë
Golashënues: Klimentov 57’ dhe Cenev 74’ (CSKA 1948), ndërsa Zejnullai 21’, Videv og. 53’ dhe Ibraimi pen. 59’ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Krivak, Bejtullai (c), Paviç, Alimi, Zejnullai, Nafiu, Qaka, Doriev, Ibraimi.
Luajtën edhe: Rexhepi, Da Silva, Bilalli, Ramadani, Hebaj, Neziri, Timovski, Elezi dhe Rakipi.
Trajner: Ernest Gjoka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat