Kush është skuadra e madhe hungareze që ndeshet me Prishtinën?

Futboll

Kush është skuadra e madhe hungareze që ndeshet me Prishtinën?

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 14:00
Kush është skuadra e madhe hungareze që ndeshet me Prishtinën?

Kampioni i Kosovës, Prishtina, po përgatitet për sfidën e madhe kundër skuadrës hungareze Ferencvaros, në kuadër të rrethit të parë eliminator të Champions League në futboll.

“Prishtina asnjëherë nuk është takuar në gara ndërkombëtare me skuadër më të madhe se Ferencvaros
Skuadra e tre finaleve të kompeticioneve të mëdha dhe njëherë fituese e tyre, 32 herë kampionë të Hungarisë”, shkruan në faqen e FC Prishtina. 

Kjo ndeshje pritet me padurim, megjithatë Prishtina synon befasinë e madhe.

Rivali i Prishtinës i raundit të parë të UEFA Champions League, Ferencvarosh apo Fradi, siç e quajnë tifozët e saj, është skuadra më e madhe hungareze dhe jo vetëm. “Shqiponjat e gjelbra” janë ndër skuadrat më të suksesshme të Evropës së Mesme. Fitues të “Inter-Cities Fairs Cup”, paraardhëse e UEFA Kupës, në vitin 1965 duke e mposhtur në finale Juventusin e madh në Torino (1-0). Gati për ta përsëritur suksesin e madh ishin po në të njëjtin kompeticion edhe më 1968 kur ishin mposhtur nga Leeds United, kurse arritën deri në finale të Kupës së Kupave edhe në vitin 1975 kur u mposhtën nga Dinamo Kiev.

Skuadra e themeluar para 122 vitesh në të quajturin “Distriktin 9” të Budapestit, janë skuadra më e trofeshme hungareze, si në garat vendore, po ashtu edhe ato ndërkombëtare. Kanë fituar 32 tituj kampion, 23 Kupa të Hungarisë dhe kanë qenë pjesëmarrëse në grupet e UEFA Europa League në edicionin 2019/20 dhe në Champions League në edicionin e fundit, 2020/21.

Kanë arritur 209 ndeshje ndërkombëtare me 95 fitore, 51 barazime dhe 63 humbje me goldallim +72, 323:251.

Një fakt interesant është se skuadra e Ferencvaroshit ka bilanc të barabartë me skuadrat shqiptare, ka zhvilluar katër ndeshje, me Partizanin dhe Tiranën, nga dy me secilën duk arritur dy barazime dhe eliminim nga të “Kuqtë” e Tiranës dhe një fitore e një humbje me Tiranën, megjithëse kishin kaluar tutje.

Në “transfermarkt”, vlejnë afër 40 milionë euro, kurse lojtari më i shtrenjtë konsiderohet anëtari i Kombëtares së Shqipërisë, Myrto Uzuni me 3 milionë euro. Uzuni ishte blerë nga Lokomotiva e Zagrebit me 1.8 milionë euro. Po ashtu, anësori shqiptar është futbollisti më produktiv i skuadrës me 12 gola të shënuara dhe asistime në edicionin 2020/21.

Në kampionatin evropian “Euro 2020”, Ferencvarosh ishte i përfaqësuar me pesë futbollistë në Përfaqësuesen e Hungarisë. Dy portierët, Adam Bogdan e Denes Dibusz, mbrojtësit Endre Botka (të gjitha 3 paraqitjet) e Gergo Lovrencsics (të gjitha 3 paraqitjet - 1 titullar dhe 2 zëvendësues) si dhe mesfushori, David Siger (1 ndeshje si zëvendësues). 

Ferencvaroshin pas 3 vitesh shumë të suksesshme, e ka lënë kryetrajneri, ish-futbollisti i njohur ukrainas, Serhiy Rebrov. Me të “gjelbrit” ka fituar tre tituj kampioni, ka luajtur në grupet e Europa dhe Champions League duke regjistruar 132 ndeshje ku prej tyre 82 fitore apo 62% me rezultat pozitiv. Ai është rikthyer te skuadra nga kishte ardhur në “Fradi”, Al-Ain të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Rebrov është zëvendësuar me strategun austriak 55 vjeç, Peter Stoger. Ish-futbollisti i skuadrave të njohura austriake, si Rapid e Austria Vjenë, para Ferencvaroshit ka udhëhequr skuadra të mëdha si Borussia Dortmund (2017/18), Koln, Grazer dhe së fundi Austria Vjenë (2020/21).

Skuadra hungareze është në mesin e përgatitjeve në Austri duke zhvilluar disa miqësore me skuadra të njohura dhe duke triumfuar në to, si me kampionët e Bullgarisë, Ludogorets (3-1) dhe ata polak, Legia Varshavë (2-0).

Në garat zyrtare, Ferencvarosh nuk ka pësuar humbje në 12 ndeshjet e fundit (ishte mposhtur për Kupë), kurse kampionale nuk ka pësuar që nga 20 janari apo në 18 ndeshjet e fundit, shkruan në faqen e FC Prishtina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat