Ndreca: Ja si më bindi Kukësi

Futboll

Ndreca: Ja si më bindi Kukësi

Më: 2 korrik 2021 Në ora: 11:58
Ndreca: Ja si më bindi Kukësi

Kukësi arriti ta fitonte duelin me disa skuadra për të marrë shërbimet e mbrojtësit të majtë, Edison Ndrecës. I shumëshëtitur në disa skuadra të kampionatit shqiptar, 26- vjeçari preferoi të niste një aventurë të re, pikërisht me Kukësin, duke firmosur për dy sezone me verilindorët. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mirditori pohon se ka ardhur në këtë skuadër për të fituar trofe dhe është i bindur se ka bërë zgjedhjen e duhur.

“Të jem i sinqertë, kam pasur oferta nga 4-5 ekipe gjatë kësaj merkatoje vere, por duke parë ambiciet e Kukësit, i cili ka gjithnjë synime madhore, vendosa të pranoja ofertën e këtij klubi. Personalisht mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë dhe duke parë interesimin e këtij klubi, nuk e pata shumë të vështirë të zgjidhja se ku do të vijoja karrierën time”, u shpreh fillimisht ishfutbollisti i Bylisit, i cili sezonin e kaluar në Superiore shënoi edhe gjashtë gola, jo pak për një mbrojtës në kampionatin shqiptar. Madje, një dopietë ua shënoi pikërisht verilindorëve në fitoren 2 me 1 të Bylisit në Ballsh.

OBJEKTIVI – Më tej, Ndreca pohon se dëshiron që ky të jetë viti i Kukësit dhe ka besim se të gjithë bashkë si skuadër do të bëjnë diçka të mirë, edhe pse llogaritë bëhen gjithnjë në fund. “Shpresoj dhe uroj që të jetë viti i Kukësit. Unë dhe e gjithë skuadra do të përpiqemi të bëjmë maksimumin, edhe pse llogaritë bëhen gjithnjë në fund. Sa i përket presionit, gjithnjë ka në futboll, por mendoj që të gjithë bashkë do të bëjmë diçka të mirë”, vijoi më tej Ndreca.

Në fund, mbrojtësi ka edhe një premtim për tifozët e Kukësit, për më tepër që këtë vit skuadra rikthehet të luajë në qytetin e vet. “Tifozët e Kukësit janë të mrekullueshëm dhe premtoj që do të bëj më të mirën time. 

Shpresoj shumë që në fund të sezonit ta mbyllim me trofe dhe për më tepër që rikthimi në fushën tonë do të na bëjë akoma më të fortë”, e mbyll prononcimin e tij për gazetën futbollisti më i ri i verilindorëve, Edison Ndreca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat